Komisioni i Mbrojtjes Civile i Qarkut Tiranë zhvilloi mbledhjen e radhës në ambientet e Prefekturës, në kuadër të përgatitjeve për sezonin vjeshtë–dimër 2025–2026. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Qarkut, ku në fokus ishte vlerësimi i situatës dhe koordinimi i masave për përballimin e rreziqeve të mundshme gjatë muajve të ardhshëm.
Diskutimet u përqendruan te gjendja e digave dhe rezervuarëve, masat për parandalimin e përmbytjeve, si dhe analiza e situatës pas sezonit veror të zjarreve, me qëllim identifikimin e nevojave dhe forcimin e kapaciteteve për reagim në rast emergjencash.
Gjatë mbledhjes u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, zbatimit të masave parandaluese dhe garantimit të gatishmërisë operacionale të strukturave përgjegjëse. Koordinimi dhe reagimi në kohë mbeten thelbësore për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe sigurisë së komuniteteve në territorin e Qarkut Tiranë.





