Kryetari i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, vlerësoi modelin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të eksperiencës konkrete në fushën e bujqësisë sociale dhe agrobiznesit, në prani dhe të Ambasadorit të Italisë, Alberto Cutillo, në forumin e parë të përbashkët ekonomik me temë “Asistenca për qytetaret, bujqësia sociale dhe agrobiznesi”, organizuar nga Instituti Kombëtar Italian i Asistencës për Qytetarët “INAC”, Federata Italiane e Bujqësisë, “CIA” si dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar “KASH”.
Z. Dalipi theksoi se zhvillimi i agrobiznesit si mjet për zhvillimin social ekonomik është objektiv i një të ardhmeje të afërt për vendin; një vizion që do të bëhet realitet nga puna e koordinuar dhe vullneti i mirë i politikbërësve.
“Reformat e ndodhura në Shqipëri këto katër vitet e fundit, kanë përafruar integrimin e vendit në familjen e dëshiruar evropiane dhe kanë përparuar në forcimin e urave të bashkëpunimit shumëdimensional në rajon. Efektet që ato kanë sjellë, modelet e reja të zhvillimit të agrokulturave, vëmendja e theksuar ndaj politikave të zhvillimit rural, ndikojnë pozitivisht në zhvillimin edhe të agrobiznesit si mjet mjaft efektiv i zhvillimit të vendit”, tha Dalipi.
Kreu i Qarkut Tiranë u shpreh më tej se Shqipëria ka një potencial të madh ende të pashfrytëzuar në sektorin e agrobiznesit.
Qëllimi i takimit ishte përmirësimi i veprimtarisë veçanërisht në ndihmë të qytetarëve shqiptarë, të biznesit dhe agrobiznesit, që punojnë e banojnë në Itali dhe atyre italianë që punojnë e banojnë në Shqipëri, si edhe të vendosjes së një bashkëpunimi eficent midis forumit me platformën e portalit të ri për bashkëqeverisje në Shqipëri.
Gjatë takimit të ngushtë të përfaqësuesve të lartë të dy delegacioneve nga Italia dhe Shqipëria, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Institutit Kombëtar Italian të Asistencës për Qytetarët dhe Federatës Italiane të Bujqësisë si dhe Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar me qëllim zgjidhjen e problemeve të zhvillimit të bujqësisë.