Për të patur një fundjavë ndryshe, ndërmerrni një udhëtim për në Shëngjergj të Tiranës.
Me një natyrë unike që e gjen vetëm atyre anëve, teksa gjendesh në kërkim të Shëngjergjit, Shënmrisë dhe Shëngjinit.
Të këtij trekëndëshi qëndisur në histori dhe me emra shenjtorësh të krishtërimit. Por që sot, me minaretë e ngritura në qendër të tyre, të flasin për një realitet të ri religjoz e në të njëjtën kohë, për një akord që ata të cilët jetën e konsumojnë këtyre anëve kanë zgjedhur të kenë me vetë rrjedhën e historisë. Duke reflektuar kësisoj edhe një “akord të heshtur” mes të shkuarës dhe së tashmes…
Kodrat e veshura me pemë dhe poshtë tyre gjithmonë një lumë gjarpërues. Të veshura me një dritë që regëtin ëmbël edhe në ditët e para të dhjetorit, kur dimri ka nisur të zhveshë gjithçka. Natyrisht, nuk kishte si të ishte kaq perfekte gjithçka, nëse rruga nuk do kishte konturet e saj të bardha në çdo centimetër të saj, apo mbrojtëset në çdo të papritur që fal pak e nga pak ngjitja dhe kthesat e malësisë së Shëngjergjit. Për të kapur një çast qiellin … Dhe më pas, për të zbritur drejt “shenjtërisë” që gjendet në emrat e fshatrave të kësaj zone…
Shëngjergji ndodhet në lindje të Tiranës rreth 40 km larg. Shëngjergji ka një reliev malor ku kuota më e ulët është shtrati i lumit Erzen dhe kuota më e lartë është Mali me Gropa”.
Ne ju rekomandojmë të vizitoni këtë zonë që ka pamje të mrekullueshme me terrenet kodrinore dhe malore. Zona e Shëngjergjit është e pasur me burime të shumta ujore dhe liqene. Mendohet se në shekujt XII-XIV quhej “Tomadhe” ose “Tame Dea” – Perëndeshë e Burimeve Ujore “. Pas vitit 1600, mori emrin ” Shëngjergji “. Në territorin e Shëngjergjit ka shumë kisha. Ekzistenca e emrave të fshatrave Shëngjergji, Shënmëri, Shëngjin, si vendbanime të vjetra; fshatrat e banuara në ditët e sotme janë afër njëri-tjetrit dhe kanë emrat e dhjetra shenjtorëve.
Ujëvara
Ujëvara e Shëngjergjit është një tjetër pasuri natyrore e Tiranës. Ujëvara ndodhet pranë fshatit Shëngjin, të komunës Shëngjergj. Deri pranë saj, mund të shkohet me makinë dhe rruga është shumë e mirë. Kjo ujëvarë deri para gjashtë vitesh, rrinte “e fshehur” mes maleve dhe përveç banorëve të zonës, askush nuk e dinte ekzistencën e saj. Sot ajo është kthyer në një destinacion të mirëfilltë turistik me shenja orientuese.
Ujëvara furnizohet me ujë nga Mali me Gropa dhe formon një nga degët e krijimit të Lumit Erzen. Ajo ka një lartësi rreth 30 metra të dukshme dhe gjarpëron përmes hinkave në formë spirale në lartësi më të madhe dhe më pak të dukshme për syrin e vizitorit. Formacioni shkëmbor rreth saj është me shkëmbinj shtresëzorë dhe me ngjyra, ku e kuqja është mbizotëruese. Ne pranverë dhe në vjeshtë ajo ka një bukuri mahnitëse, nga llojshmëria e ngjyrave.
Pak histori…
Shëngjergji më parë ka mbajtur emrin “Krahina e Tomadhesë”.
Emër ky i trajtuar nga gjuhëtarë e studiues shqiptarë dhe të huaj, të cilin gjuhëtari i shquar Eqerem Çabej, e përmend si fjalë “zë e kahershme” shqipe, kurse prof. Dhimitër Shuteriqi e përmend si vendbanim që do të thotë “Dheu i Tomës”. Konkretisht, ai e lidh këtë emër me një stërgjysh të Vladan Aranitit që quhej Toma, por mund të jetë edhe toka e Deas ose Tama. “Faqja e dheut të saj ka një bukuri mahnitëse të tre shenjtëve: Shëngjergj, Shënmri e Shëngjin, tre fshatrat e kësaj krahine”. Kurse Dhimitër Pilika dhe historia italian Biemi, thotë se me fjalën Tamadhe duhet të kuptojmë “Të mëdhenjtë” dhe emri i vërtetë duhet të jetë “Krahina e të mëdhenjve”. Këtu e ka fjalën për Aranitët. Autorë të tjera japin mendimin si vendbanime të lashta ilire në shek III-IV (prof. Kristo Frashëri). Më vonë mori emrin Krahina e Shëngjergjit.
***
Nga fundi i shekullit XIX disa djem të fshatit u shkolluan nëpër vende të perandorisë Osmane për dituri të përgjithshme dhe teologji. Të tillë ishin Mustafa Shtëpani, Rakip Disha, Hafiz Beqir Shaba, Hoxhë Jonuz Toqi, Ferik Altafa, etj, të cilët ndonëse me petkun e fesë, kanë përkrahur lëvizjet atdhetare dhe kanë propoganduar për shkollën shqipe në Shëngjergj.Më vonë shtysë i dhanë edhe patriotë të tjerë si Ali Shtëpani, Osman Distafa, Islam Keta, Muharrem Lorja, Ismail Rrëceku, Abdi Ceni, Gani Hala, Shaban Balla, Begtash Cani e shumë të tjerë. Përpjekjet për arsimin në Shëngjergj kanë ekzistuar edhe para vitit 1911. Të frymëzuar nga idealet e Lidhjes së Prizrenit, dega e Elbasanit, me anë e përfaqësuesve të tyre u lidhën me krahinën e Shëngjergjit për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Ku sipas një letre të Kristoforidhit më 1871 Shëngjergji e priti me shumë dashuri Abetaren e tij.
***
Mësimi i gjuhës shqipe në Shëngjergj të Tiranës, ka filluar para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Këtë fakt e përforcojnë shumë dëshmi të cilat hedhin dritë mbi kohën ku filloi mësimi në gjuhën shqipe. Historia nis me normalistin e Elbasanit i cili në vitin 1910 largohet nga ky qytet për shkak të një incidenti. Me anë të ndërmjetësve ai shkon dhe strehohet në shtëpinë e Xhafer Shtëpanit në Shëngjergj, ku fillon t’u mësojë të rinjve dhe të moshuarve A, B, C. Ata që mësuan me këtë normalist, lanë kujtimet e tyre për këtë periudhë e cila mund të quhet si fillesa e mësimit në gjuhën shqipe në qarkun e Tiranës. Ndërsa shkolla e parë shqipe (ilegale) ka filluar në fund të vitit 1911 me ardhjen në Shëngjergj të mësuesit Ramiz Hatibi. Kurse në kohën e okupacionit fashist është fakt se në shkollën e Shëngjergjit nuk u vendosën asnjëherë portretet e Viktor Emanuelit apo Musolinit, nuk u lejua asnjëherë që nxënësit e shkollës të nderoni në mënyrë alla-fashiste apo të regjistroheshin “balilë” e të dërgoheshin ndoshta edhe në Iltali. Shkolla do të bëhej propaganduesja e LANÇ-it. Ndërsa në vitin 1942 paria e Shëngjergjit e përbërë nga 20 veta vendosën që të ndërtohen edhe 3 shkolla të reja me paratë e fshatit, konkretisht për çdo shkollë 600-700 napolona. Menjëherë pas çlirimit të vendit, shkolla do të bënte përpjekje të mëdha për zhdukjen e analfabetizmit në fshat duke ngritur kurse, ku prioritet iu dha të rinjve dhe të rejave.
***
Të jesh nga Shëngjergji ke privilegjin që në momentin e parë të prezantimit. “Ju jeni të zgjuar”- të thonë ku mësojnë se je nga Shëngjergji i Tiranës”. Ndërsa shëngjergjasit me krenari vazhdimisht deklarojnë se ky konstatim është i lidhur me shkollën e parë shqipe (ku është mësuar shqip edhe me shkrim edhe me gojë) në Qarkun e Tiranës e cila është hapur pikërisht në Shëngjergj të Tiranës.
Çfarë duhet të vizitoni: Ujëvarën e Shëngjinit, Rrënojat e Kështjellës së Shëngjinit, Kalaja e Shën Gjergjit, Shpellën e Valit, Vendi i shenjtë dhe varri i vjetër si dhe Mali i Gropa.