Krerët e Shtetit zhvilluan sot homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve për nder të 29 Nëntorit, ditës së Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë.
Të pranishëm ishin Presidenti i Republikës, Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri, Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, veteranë dhe pasardhës të dëshmorëve.
Nën ritmet e bandës frymore, krerët e shtetit vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” në nderim të kujtimit të dëshmorëve të rënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me rastin e 73-vjetorit të Çlirimit, u zhvilluan një sërë aktivitetesh përkujtimore si dhe vizita në shtëpitë e dëshmorëve të atdheut për të nderuar veprën dhe sakrificat e tyre.
Dita e Çlirimit ashtu si çdo vit përkoi dhe me “Natën e Bardhë”, ku qytetarët e Tiranës qëndruan në shesh për të dëgjuar yllin e muzikës botërore Emeli Sande.