Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi seminarin rajonal mbi Programet e Bashkëpunimit Territorial, në të cilat aderon Shqipëria, me fokus mirëkoordinimin e instrumenteve financues të Bashkimit Evropian.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati tha se ky është një vit vendimtar për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se vijimi i implementimit të reformës në drejtësi, do të bëjë të mundur që dhe Shqipëria t’i bashkohet dy vendeve fqinje që tashmë kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin vlerësoi si të rëndësishme programet ndërkufitare dhe transnacionale, pasi ato jo vetëm rrisin cilësinë e jetës në vendet e rajonit, por ndërtojnë besimin mes njerëzve, mundësojnë shkëmbimin e njohurive, vlerave kulturore dhe traditave mes tyre. Mes të tjerave ajo vuri theksin në thellimin e bashkëpunimit mes rajoneve.
Znj. Ana Verushi, Kryetare e Këshillit të Qarkut të Korçës moderoi panelin për Institucionet Publike dhe theksoi rolin e tyre në Programet e Bashkëpunimit Territorial. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vetë qyteteve.
Si shembull, Veliaj solli bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Veronës, ku falë ngritjes së kompanisë publike të pastrimit, Tirana është shumë herë më e pastër se 3 vite më parë. Shumë shpejt në rrugët e kryeqytetit do të qarkullojnë autobusët elektrikë, të cilët vijnë jo vetëm si përmirësim i shërbimit ndaj qytetarëve, por njëkohësisht edhe si shembull për uljen e ndotjes së ajrit. Në konferencën “Bashkëpunimi Territorial, perspektivë e re për nxitjen e integrimit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës,
Erion Veliaj foli mbi mundësitë e bashkëpunimit mes qyteteve, si një mundësi shkëmbimi eksperiencash dhe zhvillimi, por shtoi se tashmë është kryer porosia për autobusët e parë elektrikë, të cilët do të jenë lajmëtarët e revolucionit në transportin publik të Tiranës.
“Sa i takon transportit publik jemi në marshin e pestë me autobusët elektrikë. Ndihma që po na jep Polonia, për të prodhuar një shkëmbim eksperiencash mes operatorëve dhe punonjësve tanë dhe ata polakë të transportit publik, ka sjellë dobi për qytetin dhe besoj nga ky vit do t’ia shohim hajrin në Tiranë, teksa kemi bërë porositë e para për autobusët elektrikë. Në afatgjatë do të kuptojmë sesi frymëzimi dhe shumë pak financim nga një shtet anëtar, mund të sjellë rezultate të jashtëzakonshme”, theksoi Veliaj.
Duke u ndalur tek revolucioni i transportit në kryeqytet, Veliaj deklaroi se po ecën me ritme të shpejta edhe ndërtimi i 10 km korsi për biçikleta, ndërsa shtoi se në shkurt do të mbërrijnë edhe 4 mijë biçikleta. “Sot Tirana është një kantier i madh për ndërtimin e rrjetit të biçikletave. Nëse keni ecur nëpër Tiranë, me siguri e keni vënë re këtë. Është fryt i një projekti, ndër më të vegjlit që ka financuar ambasada holandeze, për mobilitetin në Tiranë. Jo vetëm po mbarojmë korsitë, por për një muaj do të kemi rreth 4000 biçikleta të reja, që besoj se do të sjellin një revolucion në mënyrën se si funksionon ky qytet”, tha Veliaj.
Pavarësisht se janë inkurajuese shumat e parave që shpenzohen nga fondet IPA apo nga fondet e bashkëpunimit ndërkufitar, Veliaj deklaroi se një vëmendje të veçantë meriton jo vetëm sasia, por edhe mënyra se si fondet shpenzohen. Kryebashkiaku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vetë qyteteve, që mund të prodhojnë rezultate shumë herë më efikase se sa bashkëpunime me organizma të tjerë. Si shembull të këtij suksesi, Veliaj solli bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Veronës, ku falë ngritjes së kompanisë publike të pastrimit, Tirana është shumë herë më e pastër se 3 vite më parë.
“Një nga gjërat që më thanë disa prej jush, që kishin kohë pa ardhur në Tiranë, ishte se sa e pastër është bërë Tirana. Unë jam ndoshta kritiku më i madh se sa edhe më i pastër mund të jetë qyteti ynë. Por, një nga gjërat që njerëzit harrojnë, është bashkëpunimi mes dy qyteteve, Tiranës dhe Veronës. Dy qytete që nuk aplikuan fare për fonde të BE, por krijuan vetë një kompani publike. Sot, për çmimin më të ulët të pagesës nga familjarët, kemi cilësinë më të lartë të pastrimit”, tha Veliaj.
Si një rast tjetër të suksesshëm bashkëpunimi, Veliaj solli ndërmend edhe banesat e reja për komunitetin rom, ku pavarësisht financimeve ndër vite për organizim seminaresh, asgjë nuk kishte ndryshuar për ta. Ai tha se përmes bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Italisë u mundësua sistemimi dhe zgjidhja e problemit të strehimit për 450 familje. “Vetëm prej fondeve “IADSA”, zgjidhëm problematikën më të madhe të komunitetit rom dhe egjiptian në Bashkinë e Tiranës, që është edhe bashkia më e madhe me 1/3 e popullsisë në vend. Sapo hapëm banesat e reja në Lanabregas, javës tjetër hapim banesat e reja në Shkozë. Nëse i krahason sa para janë harxhuar në total nga BE në 27 vjet për romët, është ndoshta 1/1000, por besoj se ka qenë më efiçentja, sepse në vend që t’u jepte mend bashkive, të shkruante raporte pafund, konsultime, seminare, konferenca, në një vend si Ballkani, ku të gjithë jemi të mbiseminarizuar dhe të mbikonferencuar, zgjodhën që të bashkoheshin me një partner lokal, siç është Bashkia e Tiranës, për të sistemuar në një vend 300 familje dhe në një vend tjetër 150 familje të tjera”, nënvizoi Veliaj.
Në fjalën e tij, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati u shpreh se ky aktivitet çel kalendarin e një viti vendimtar për suksesin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se ekziston një nevojë e qartë për orientim dhe bashkërendim më të mirë të veprimeve, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe integrimi i tyre me prioritete e programet e qeverisë qendrore dhe qeverisjes vendore të vendeve tona, duke siguruar harmonizimin me investimet që po zbatohen në rajonet tona ndërkufitare.
“Ky bashkërendim krijon platformën e nevojshme për të shfrytëzuar potencialin e gjithë instrumenteve të financimit, kombëtar dhe atyre që ofron politika rajonale e BE. Vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një ndikim të vërtetë në përmirësimin e jetës së komuniteteve tona dhe të garantojmë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e reformave që përmbushin objektivat e përbashkëta evropianë e kombëtare”, tha Bushati.