Z. Aldrin Dalipi, Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës në cilësinë e Zëvendëspresidentit të Eurorajonit Adriatiko Jonian, adresoi aktivitetin përmbyllës të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Adriatik 2007-2013, i zhvilluar në Akuila, Itali me 4 Dhjetor.
Në aktivitet mori pjesë edhe Kryebashkiaku u Tiranës Z.Erion Veliaj. Nën vëmendjen dhe praninë e Kryetarit të Parlamentit Evropian, Z.Antonio Tajani, konferenca u zhvillua në ambientet e shkollës kombëtare të Guardia di Financa në Akuila, me pjesëmarrjen e gjeneralit madhor të Gurardia di Financa, nënsekretaren e shtetit Italian për çështje të drejtësisë, nënkryetarin e Parlamentit Evropian David Sassoli, përfaqësues të lartë së Gjykatës Evropiane, presidentin e rajonit Abbruzzo Luciano D’Alfonso dhe përfaqësimin e delegacioneve nga të gjithë shtetet pjesëmarrëse në program si Republika e Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovina, Republika Serbe.
Duke ju besuar mbyllja e këtij aktiviteti me rëndësi, në fjalën e tij në emër të Eurorajonit Adriatiko Jonian, z.Dalipi vlerësoi se “Programi IPA Adriatik CBC, ishte instrumenti më i rëndësishëm i Bashkëpunimit Territorial në zonën Adriatiko-Joniane, me një buxhet rreth 244 milionë euro, zbatuar në territoret e 8 shteteve pjesëmarrëse, program i cili përpos investimeve në vlerë monetare, mbi të gjitha ndërlidhi dhe afroi të punonin bashkë njerëzit në qytetet e makrorajonin tonë strategjik.
Eurorajoni Adriatiko Jonian mbështet vijueshmërinë e Programit për të vijuar punën e nisur se bashku në ndërtimin e kësaj ure komunikimi e bashkëpunimi.” Duke falënderuar Autoritetin Menaxhues të IPA Adriatic CBC, znj.Paola di Salvatore, për energjinë angazhimin dhe asistencën e dhënë gjatë zbatimit të programit, sidomos në vendet në paraaderim në Bashkimin Evropian.
Aktiviteti i organizuar nga Autoriteti i Menaxhimit të Programit IPA Adriatik CBC synon rritjen e shkëmbimit dhe të bashkëpunimit me institucionet më prestigjioze ndërkombëtare jo vetëm për objektivat domethënës që janë arritur përgjatë gjithë fazave të kohështrirjes së programit IPA-Adriatik, por gjithashtu për vendosjen e një dialogu mbi të ardhmen e politikës evropiane në zonën Adriatiko-Jonian dhe vijimësinë e programit të bashkëpunimit territorial. Aktiviteti u pasqyrua gjerësisht në mediat italiane dhe kanalet e komunikimit zyrtare të Parlamentit Evropian.