Kryetari i Qarkut të Tiranës, zoti Aldrin Dalipi dhe kryetarja e shoqatës jofitimprurëse ODA, zonja Zana Sina nënshkruan me datë 14 shkurt 2019 marrëveshje bashkëpunimi.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi të ri bëhet në kuadër të zhvillimit të turizmit kulturor dhe ekonomisë në qarkun e Tiranës.
Projekti i parë për të cilin lidhet ky bashkëpunim është projekti #ZbuloBashtovën, në të cilin palët angazhohen të realizojnë evente kulturore me pjesëmarrjen e sa më shumë njerëzve.
Çfarë është #ZbuloBashtovën
Në kuadër të turizmit kulturor dhe trashëgimisë kulturore do të organizohet dita e Kalasë së Bashtovës.
Qëllimi kryesor i aktivitetit është të promovojmë turizmin kulturor lokal dhe trashëgiminë kulturore duke zbuluar vlerat e Kalasë së Bashtovës si një pjesë e rëndësishme e historisë sonë.
Dihet që vitet e fundit i është dhënë një theks i rëndësishëm turizmit kulturor për të zbuluar historinë dhe lashtësinë si një ndër elementët e harruar, por si element kyç për zhvillimin e turizmit kulturor.
Një tjetër qëllim po aq i rëndësishëm sa i pari është ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion europian, duke shpalosur të gjitha vlerat e saj njësoj si në çdo vend të zhvilluar ndodh, ku për të promovuar këto qendra organizohen guida turistike dhe evente në funksion të shpalosjes së vlerave historike, trashëgimisë kulturore, arkitekturës, artizanatin etj.