Një mbrëmje në Pazarin e Ri / Këtë të mërkurë Këshilli i Qarkut Tiranë organizoi aktivitetin “Përqafo Traditën” me thirrjen, bashkohu me turistët që njohin traditën shqiptare. Më ndihmën e balerinit të Ansamblit të Shtetit, 15 turistë suedezë, mësojnë vallet shqiptare.
Aktiviteti pati jehonë jo vetëm të qytetarët të cilët u bashkuan me turistët por dhe në mediat kombëtare.
Gazeta DITA i kushtoi një shkrim-reportazh aktivitetin të cilin mund ta lexoni më poshtë…
***
Turistët nga Suedia kalojnë një mbrëmje në Pazarin e Ri si valltarë shqiptarë
Keni parë ndonjëherë 15 suedezë bashkë duke kërcyer valle popullore shqiptare? Në Pazarin e Ri në Tiranë, këtë të mërkurë, gra dhe burra nga Suedia, krijuan një atmosferë festive. Tregtarët, por edhe banorët e asaj lagjeje, shihnin të habitur këta turistë nga Suedia të cilët me shumë pasion kërcenin vallet tona.
Nuk ndodh të krijohet shpesh kjo atmosferë në Pazar dhe mbi të gjitha nuk ishte e rastësishme. Ky ishte një organizim i Këshillit të Qarkut të Tiranës, i cili në bashkëpunim me Bashkinë e kryeqytetit, tashmë synohet ta kthejë në traditë. Suedezët që u shfaqën në sheshin e Pazarit mbrëmjen e së mërkurës i bashkon pasioni për vallet. Burra dhe gra, të gjithë mbi 60 vjeç kanë zgjedhur të bëjnë një tur në Ballkan për të mësuar vallet e këtyre vendeve. Si fillim ky aktivitet u hap nga vallet e fëmijëve të talentuar të përgatitur nga mjeshtrja Xhuljeta Manastirli.
Më pas nën drejtimin e Balerinit të Parë të Ansamblit të Shtetit, Genci Kastrati, u shfaqen 15 suedezët të veshur me kostume popullore shqiptare. Teksa Genci i orientonte në kombinimin e këmbëve sipas valles, ata arrinin që paralelisht të kërcenin duke mos patur asnjë vështirësi.
Mjeshtëria e tyre na gënjeu duke menduar se ata ishin valltarë profesionistë, por jo, në vallen e tretë mësuam nga njëra prej pranishmëve që ata ishin amatorë. Ajo që i bënte aq pasiononit ishte dashuria për kërcimin.
Ata nuk i ngatërronin këmbët as në vallen e Rugovës, e as në pogonishten e jugut. E shijuan vallen çame, dhe u argëtuan shumë në vallen e Kukësit.
Një suedeze e veshur si gjirokastrite
Një nga valltaret që kishte veshur kostumin popullor të Gjirokastrës na tregoi se i pëlqente shumë veshja e saj.
I dukej e veçantë, për nga punimi dhe ngjyrat që kishte. Me sytë blu dhe flokët bionde teksa na fliste, na bëri të mendonim se në rininë e saj duhej të kishte qenë një grua shumë e bukur, tipare të cilat i ruante edhe sot. Bodil Rosengren na tregon se është 74 vjeçe.
Tashmë, në moshën e pensionit ajo ka vendosur të udhëtojë nëpër botë.
Së bashku me miqtë e saj, që i bashkon pasioni për vallet, kanë krijuar një grup me të cilët udhëtojnë në vendet që atyre u duken interesante në këtë drejtim.
“Deri më tani kemi udhëtuar në disa shtete, kemi qenë në Bullgari, Rumani, Turqi, por Shqipëria po më pëlqen shumë. Njerëzit më duken shumë të mirë dhe miqësorë. Janë të gjithë të sjellshëm. Por ajo që më ka marrosur më tepër në këtë vend është ushqimi. Ushqimi juaj është fantastik! Jo vetëm gatimet tuaja tradicionale janë fantastike, por ju edhe ato që kanë origjinë të huaj i gatuani shumë herë më mirë. Shihni sa jam shëndoshur vetëm në tri ditë”- shprehet suedezja e cila na tregon barkun duke qeshur.
Zonja nga Gothenburg na sqaron se ajo dhe miqtë e saj nuk janë valltarë profesionistë.
Ata nuk bëjnë pjesë në ndonjë ansambël. Kërcimi është pasion i tyre. Këta njerëz në moshën e pensionit kanë vendosur që të mos kërcejnë vetëm vallet e vendit të tyre, por edhe ato të disa vendeve të tjera të botës, ndaj, kanë ndërmarrë këtë tur duke u ndalur këto ditë në Tiranë.
74-vjeçarja na thotë gjithashtu se i pëlqejnë shumë aksesorët që mbajnë gratë në vendin tonë. Teksa nxjerr dorën, na tregon se sapo ka blerë vath dhe një unazë.
Nga mënyra se si shprehet, duket që është shumë e lumtur për këtë blerje!
Organizimi
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës vlerësoi këtë nismë e cila është risi për vendin tonë, por një traditë në shumë qytete evropiane. “Super mbrëmje te Pazari i Ri, suedezët ua kaluan valltarëve tanë. “Tirana tashmë vendi ku turistët e huaj prekin momente fantastike”, shkroi Aldrin Dalipi në rrjetet sociale, mesazh që u shpërnda edhe nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
“Me skuadrën e institucionit të Këshillit të Qarkut Tiranë i sollëm ata në epiqendrën më të re të Tiranës, në sheshin e “Pazarit të Ri”, duke shndërruar pasditen e 5 korrikut në një eksperiencë unike për shpërndarjen e vlerave tradicionale, kulturore të Rajonit të Tiranës, përtej kufijve. Nuk do ta besoni që në këtë organizim, në mënyrë spontane, për rreth 3 orë, u bënë pjesë edhe të rinj e të reja qytetarë të ndryshëm në një atmosferë fantastike, nën shoqërimin e solistëve të baletit Gencit dhe Helgës, balerinëve (fëmijë) të mësueses së pasionuar Xhuljeta dhe instrumentistëve popullorë. Për Edlirën, mjeshtren e kostumeve popullore kemi një falënderim të veçantë për ekspon me vlerë që ju bashkua eventit”, theksoi Dalipi.
Ai shtoi se këto evente i shërbejnë promovimit të bashkisë dhe rajonit të Tiranës për të cilin institucioni i Këshillit të Qarkut është shumë i fokusuar. Kreu i Qarkut, Aldrin Dalipi përshëndeti turistët e huaj duke vlerësuar Tiranën që sot ka mundësi të jashtëzakonshme si kurrë më parë për evente të tilla, pasi pazari ri dhe Sheshin “Skënderbej” etj. janë atraksione fantastike për një Tiranë që tashmë ka kaluar kufijtë duke fluturuar shumë lart.
***
INTERVISTA me Genc Kastratin
Njeriu që i bën të huajt të kërcejnë “shqip”
Teksa orientonte turistët se si të hidhnim këmbët, pamja e jashtme na bindi që edhe i vet ishte suedez. Ky zotëri biond dhe i shpejtë në lëvizje i bënte turistët e huaj të mësonin për pak minuta vallet tona tradicionale. Kur iu afruam na foli shqip. Ishte Genc Kastrati, balerini i parë i Ansamblit të Shtetit.
Në këtë intervistë për Dita-n ai na tregon më shumë rreth këtij aktiviteti, pasionit të të huajve për të kërcyer vallet tona dhe atmosferës që krijohet në Pazarin e Ri nga ky organizim.
-Zoti Kastrati, çfarë është aktiviteti “Takim me traditën”?
Kjo ide lindi shumë spontanisht në një bisedë mes miqsh të pasionuar pas artit dhe aq më tepër pas folklorit shqiptar. Bashkë me z. Fatmir Veleshnja, specialistin e Kulturës në Këshillin e Qarkut të Tiranës dhe znj. Edlira Sula, artizane, po ndanim një bisedë që konsistonte në projektet personale të secilit nga ne. Unë u tregova se si prej vitit 2010 kam iniciuar një projekt për mësimin e valleve popullore shqiptare, turistëve të huaj të interesuar për to. Kjo bisedë u zhvillua në një ambient në Pazarin e Ri të sapo rikonstruktuar. Gjatë bisedës zoti Fatmir hodhi idenë e ndërthurjes të këtyre komponentëve, turistëve, folklorit e ambienteve të këndshme rekreative të Pazarit. Ideja “Takimi me traditën” lindi pikërisht nga dëshira për të sjellë bashkë të huaj e shqiptarë nën një ritëm magjik që e kemi të gjithë së brendshmi. Ai menjëherë u vu në kontakt me z. Aldrin Dalipi, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Tiranë, që gjithashtu është një artdashës i spikatur. Mbështetja ishte e menjëhershme dhe plotë dëshirë. Projekti u pasurua dhe mori formë me vënien në dispozicion të të gjitha kostumeve popullore për veshjen e të huajve pjesëmarrës, si dhe një panairi artizanal nga znj. Edlira Sula. Seminari i parë me një grup turistësh, pas kësaj bisede, ishte caktuar në fillim të Majit. I bëra të njohur turistëve paraprakisht, nëse e pëlqenin këtë përfshirje një pasdite në ambientet e Pazarit të Ri, duke kërcyer valle popullore shqiptare, të veshur me kostume popullore, së bashku me qytetarë të tjerë shqiptarë. E pëlqyen shumë si ide, por mund të them se pas eventit ata ndjeheshin të ekzaltuar, nga muzika, nga vallet, nga kostumet, nga pjesëmarrja, nga përfshirja. Ky grup që startoi projektin “Takim me traditën” në datën 4 Maj 2017, ishte i përbërë nga serbe, braziliane, franceze, belge, amerikane etj. Grupi i dytë i turistëve në organizimin datës 5 korrik, ishte i gjithi nga Suedia. Ata nuk shkëputeshin nga skena duke pasuar vallet njëra pas tjetrës deri në orët e vona të mbrëmjes. Ky projekt po rezulton të jetë shumë atraktiv si për të huajt ashtu edhe për shqiptarët.
-Duke qenë se kemi të bëjmë me valltarë jo profesionistë, si bëhen bashkë…?
Këto grupe turistësh janë specifike në fakt, pasi edhe në vendet ku jetojnë bashkohen herë pas here për të kërcyer valle folklorike nga vendet e tyre dhe nga e gjithë bota. Pas prezantimit tim me disa nga këto grupe, vallet shqiptare po radhiten ndër më të pëlqyerat në shumë shtete të Evropës, Amerikës e më larg. Prezantimi im me këto grupe është bërë nga një person shumë i pasionuar pas folklorit shqiptar, holandezi Cees Hillebrand, i cili më ka kontaktuar në vitin 2004, me idenë për këtë bashkëpunim. Pas një pune të gjatë në hulumtime për folklorin dhe mbledhje informacioni, seminari i parë i mësimit u bë i mundur në vitin 2010 dhe e organizojmë çdo vit në Shqipëri, krahas ftesave të njëpasnjëshme që vijnë për seminare jashtë Shqipërisë. Dua këtu të falënderoj Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e vazhdueshme që i jep projektit për mësimin e valleve popullore shqiptare të huajve, që nga pavijoni i veçantë i krijuar për këta turistë në Festivalin e Gjirokastrës në 2015 dhe gjithë materialin promovues për turizmin që ka ofruar kohët e fundit në udhëtimet e mia në shtete të ndryshme të botës, të cilat sigurisht kanë ndikuar në bërjen e Shqipërisë me atraktive dhe një vend për t’u vizituar nga turistët e valleve.
-A janë të vështira vallet shqiptare për një amator?
Vallet shqiptare janë relativisht të vështira sidomos për të huajtë që nuk janë shumë familjarë me ritmet tona të thyera. Kombinimi i lëvizjeve të duarve dhe këmbëve njëkohësisht, që është tipar tipik i valleve tona është më i vështirë për ta. -Sa ka ndikuar rikonstruksioni i Pazarit të Ri në këto realizimin e këtyre aktiviteteve? Përveçse aty lindi shkëndija për “Takim me traditën”, Pazari i Ri ofron një ambient shumë të ngrohtë e festiv për këto lloj organizimesh. -A do vazhdojë kjo traditë me “valltarët” e huaj? Sigurisht që po, përderisa i jep kënaqësi përherë e më shumë një numri më të madh qytetarësh shqiptarë e të huaj.
–Çfarë thonë kur vijnë në Shqipëri?
Ç’mendim shprehin për këtë vend dhe për vallet tona? Këta turistë vijnë me një informacion të përgjithshëm ose pak më të thelluar për folklorin shqiptar dhe me dëshirë të madhe për të eksploruar më shumë. Por para se të ikin, në takimet e fundit kuptoj që përjetimet e tyre në Shqipëri gjithmonë i kanë kaluar pritshmëritë përpara udhëtimit. Secili që ka ardhur një herë shprehet se do të vijë përsëri. Dhe nga eksperienca ime prej 7 vite organizimi seminaresh të tilla, ka shumë turistë që kanë ardhur për së dyti, së treti së katërti dhe… së shtati në Shqipëri. Kjo është një krenari e madhe për mua si artist dhe si shqiptar.
Përgatiti: Entela Resuli / DITA