Tirana kurorëzoi me sukses fushatën e saj të mbjelljeve me 120 mijë pemë të reja, të cilat krijuan një revolucion të gjelbër për kryeqytetin.
Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, kryetari i Bashkisë së Tranës, Erion Veliaj, iu bashkua aksionit për mbjelljen e 1123 pemëve të reja në Liqenin e Farkës, së bashku me anëtarë të Këshillit të Qarkut Tiranë.
Kryebashkiaku Veliaj tha se fushata e mbjelljeve jo vetëm i dha qytetit një energji pozitive, por njëkohësisht hodhi themelet e një tradite të bukur bashkëpunimi.
“Jam shumë i lumtur që finalizojmë një fushatë fantastike për Tiranën, që na dha energji të gjithëve. Si një familje e madhe u ngritëm për një nevojë që kishte qyteti. Bashkia nuk ia del dot vetëm, nëse nuk punojmë të gjithë për qytetin. Kjo fushatë ka qenë një magji e bashkëpunimit. Sot kemi filluar një traditë, e cila duhet të ruhet nga të gjithë si një mënyrë për të thënë se secili ka mision për të lënë shenjë në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.
Veliaj shtoi se me qytetaria dhe bashkëpunimi që është treguar në këtë fushatë mbjelljeje në kryeqytet, tregon se ditët më të mira për Tiranën janë përpara.
Teksa falenderoi të gjitha ata individë, organizata, institucione shtetërore, përfaqësi të huaja që u bënë pjesë e nismës, duke i dhënë qytetit më shumë gjelbërim, Veliaj shtoi se Tirana nuk ka kohë për të humbur, ndaj ftoi qytetarët që të bëhen bashkë në nisma të tilla pozitive.
Zona e Farkës, e cila deri dy vite më parë ishte e mbuluar nga plehrat dhe i ngjante një vendgrumbullimi mbetjesh, është shndërruar në një tjetër hapësirë të gjelbër të kryeqytetit, si Parku i Liqenit Artificial.
Aksionit përmbyllës të mbjelljes së pemëve iu bashkuan edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Kamzës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës, të cilët dhuruan 50 fidanë të rinj. Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, vlerësoi nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, e cila ka bashkuar si kurrë më parë të gjithë qytetin.
“Përpara se të jesh një këshilltar i mirë, duhet të jesh një qytetar i mirë dhe sot bëmë detyrën si qytetarë të mirë të Tiranës”, tha Dalipi.