Në vijim të investimeve në kryeqytet ditën e sotme ka nisur puna për rikualifikimin urban të një tjetër blloku banesash. Bashkia e Tiranës po zbaton projektin e rikualifikimit urban të lagjes përgjatë rrugës “Vëllezërit Manastirliu”, i cili parashikon ndërhyrjen në një sipërfaqe prej rreth 3.5 ha, ku përfshihen punime edhe në 8 segmente rrugore.
Nisja e punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se, edhe në këtë lagje, investimi i bashkisë synon të sjellë standarde të barabarta jetese si në çdo zonë tjetër të kryeqytetit, ku është ndërhyrë deri më tani.
Kryetari i Qarkut Tiranë dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, theksoi se puna është përgjigja më e mirë e bashkisë dhe e mazhorancës në këshill, për çdokënd që fokusohet te kritikat. “Jam i kënaqur që në emër të Këshillit Bashkiak vij e shikoj nga afër vendimet që kemi marrë, të cilat përkthehen në punë konkrete.
Por, gjithashtu kam edhe një përgjigje për ata që nuk fokusohen te puna, po te fjalët: Duhet të bëhen pjesë e ndryshimit, që të kenë mundësi edhe ata të jenë përballë qytetarëve e të ndjehen mirë, përndryshe le të vazhdojnë me fjalët.
Bashkia e Tiranës, mazhoranca në Këshillin Bashkiak, dhe të gjithë ata që kanë zgjedhur të punojnë, do ta vazhdojnë këtë punë fort, ditë për ditë, dhe pa u ndalur”, tha ai.
Në të gjitha këto segmente do të punohet për shtrimin e rrjetit të plotë të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza, asfaltimin, ndërtimin e trotuareve, por edhe vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si edhe ndriçimin.
Në fillimet dhe fundet e çdo segmenti, si dhe në vendet e kalimit të këmbësorëve në rrugë, trotuari do të ndërtohet i ulur, për të bërë të mundur, lëvizjen lirshëm për njerëzit me aftësi të kufizuar, karrocave të fëmijëve etj.
Brenda blloqeve të banimit do të krijohen tre sheshe si ambiente çlodhëse, të cilat do të jenë të plotësuara me gjelbërim, stola, kosha dhe lodra për fëmijët.