Ne 103 vjetorin e Tiranës si Kryeqytet Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj uroi të gjthë kryeqytetasit,teksa tha se Tirana po kalon ditët e saj më të mira. “Sa herë vjen 11 shkurti dhe ne festojmë përvjetorin e Tiranës Kryeqytet ndihem jashtëzakonisht krenar, jo vetëm se jam pjesë e këtij kryeqyteti, kam lindur, jam rritur këtu, por se prej gati 8 vitesh, së bashku me një skuadër fantastike, i përkushtohemi çdo ditë, me shumë pasion, zhvillimit dhe transformimit të Tiranës sonë, e cila çdo ditë ka sfida, por çdo ditë sjell mundësi të jashtëzakonshme! Kush nuk do të ndihej kështu, në një kryeqytet si ky i yni, që kemi sot, i cili po kalon ditët më të mira, që nga koha e ekzistencës së tij”. Kryebashkiaku permendi disa prej arritjeve vetëm gjatë vitit të fundit i cili, sipas tij, ishte një vit hstorik, teksa Tirana ishte edhe Kryeqyteti Europian i Rinisë me një mori aktivitetesh. Kreu i Bashkisë theksoi se edhe këtë vit, entuziazmi dhe energjia pozitive vazhdojnë për Tiranën. “Jemi kurorëzuar “Qyteti Europian i Sportit”, ku na presin të tjera suksese historike, jo vetëm për sportin elitar, por edhe për sportin komunitar, për përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha aktivitetet sportive për një jetë të shëndetshme”. Sipas Veliajt bashkëpunimi Bashki-Qeveri-Qytetarë solli përparim në kryeqytet.
Nuk munguan urimet as nga Kryetari i Qarkut Tiranë Aldrin Dalipi, i cili në një postim në rrjetet e tij sociale ndau disa foto duke i uruar Tiranës 103 vite si Kryeqytet.