Bashkia e Tiranës organizoi ceremoninë përkujtimore për 71-vjetorin e çlirimit të Tiranës.
Në ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, kryetari i Qarkut Tiranë dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Aldrin Dalipi, nënkryetarja e Këshillit të Qarkut, znj. Bora Panajoti dhe drejtues të pushtetit vendor.
Pas dëgjimit të himnit kombëtar, nën tingujt e bandës frymore, të pranishmit vendosën kurorën me lule pranë monumentit “Ushtari i Panjohur” në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e kryeqytetit.
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, theksoi se mesazhi aktual i çlirimit të kryeqytetit dhe çlirimit të Shqipërisë ndaj nazifashistëve përkon me një mesazh mjaft të rëndësishëm me kontributin që Forcat tona të Armatosura japin në luftën kundër terrorizmit.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi theksoi se vendi edhe pas 71 vitesh ndodhet në krahun e duhur të historisë.
“Ashtu si 71 vjet më parë, ajo gjeneratë zgjodhi të ishte me forcat më përparimtare të kohës, ngjarjet e Parisit na kujtojnë se duhet të bëjmë të njëjtën zgjedhje”, u shpreh z. Dalipi në rrjetet sociale.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi, zhvilluan vizita në familjet e dëshmorëve Huta dhe të Heroit të Popullit, Estref Caka. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh për Ditën e Çlirimit, përfshirë këtu një koncert festiv në sheshin “Skënderbe” nga ansambli i qytetit dhe shfaqje filmi me tematika të luftës.
© 2022 Created by AppAlbania