Ditën e sotme më 27 nëntor 2015 u inaugurua shtatorja e Heroit të Popullit, Dedë Gjo Luli në krah të Muzeut Historik Kombëtar.
Vendosja e shtatores vjen në kuadër të festave të 28 dhe 29 nëntorit. Në ceremoninë përgatitur nën kujdesin e veçantë të Bashkisë së Tiranës morën pjesë personalitete të shumta të cilët vlerësuan figurën e Dedë Gjon Lulit.
Kreu i Qarkut Tiranë dhe Këshillit Bashkiak, z. Aldrin Dalipi vlerësoi figurën e Heroit të Popullit.
“Përmendorja e Dedë Gjon Lulit është pikërisht simboli i përpjekjeve të plota dhe të pareshtura që heronjtë e Shqipërisë nga veriu në jug bëjnë për të ruajtur dhe mbrojtur territoret shqiptare. Më vjen mirë që vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për vendosjen e përmendores u miratua nga të gjithë bashkë.”
Më tej, zoti Dalipi theksoi se Tirana nuk i harron heronjtë. “Dita e sotme është pjesë e nismës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, me moton “Tirana nuk i harron heronjtë”. Ky është mesazhi më i fortë i kësaj dite. Heronjtë janë simboli i bashkimit dhe dëshirës për të ruajtur vlerat më të mira të kombit tonë,” u shpreh kreu I Këshillit të Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, z. Dalipi.
Me 24 shtator 2015 u mbushën 100-vjet nga vrasja e Dedë Gjon Luli i cili ishte prijësi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila rezultoi me ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë në trojet shqiptare, që prej kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Vendosja e shtatores së heroit të popullit u mundësua falë donacioneve të shoqatave të atdhetarëve në SHBA.
Po gjatë ditës së sotme kreu i Këshillit të Qarkut Tiranë vendosi kurorë me lule në monumentin e Adem Jasharit.