Bashkia e Tiranës ka nderuar gazetarin, historianin dhe akademikun anglez, Sir Noel Robert Malcolm, me “Çelësin e qytetit” për kontributin e dhënë me studimet e tij për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ai u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, si dhe anëtarë të Këshillit
Bashkiak. Profesori Noel Malcolm falënderoi kryebashkiakun Veliaj për nderimin që iu bë nga Bashkia e Tiranës me dhënien e simbolikës së qytetit.
“Jam shumë i lumtur që jam në Tiranë për promovimin e librit dhe gëzohem shumë që kam ardhur këtu në Bashki për një nder të madh që ishte i papritur për mua. Ndaj ju falënderoj shumë”, tha ai.
SirNoel Robert Malcolm është gazetar politik, historian dhe akademik. Ai mori titullin “Sir” për shërbime ndaj akademisë, gazetarisë dhe historisë europiane.
Dy librat më të rëndësishëm për rajonin deri më sot janë “Bosnia: A short history” dhe “Kosovo: A short history”. Libri i tij i fundit titullohet “Agjentët Perandorakë”, i cili ka në qendër dy familje shqiptare nga Ulqini.