Kryeqyteti i vendit, Tirana ka kujtuar sot 72-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Qarkut të Tiranës dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, deputetë, përfaqësues të qeverisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, si dhe dhjetëra veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, morën pjesë në ceremoninë e përkujtimit të kësaj dite dhe sakrificës që mijëra të rinj dhe të reja bënë për çlirimin e kryeqytetit.
Ata vendosën kurora me lule në monumentin e “Ushtarit të Panjohur” në shenjë mirënjohje dhe nderimi, për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës, si dhe për ata qindra të tjerë që u bënë pjesë e luftës antifashiste. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerësoi 17 Nëntorin si një nga ngjarjet më të rëndësishme, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë.
Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se kjo datë është e rëndësishme për kryeqytetin, pasi nderojmë bijtë dhe bijat të cilët u ngritën mbi ndasitë dhe problemet e brendshme për të çliruar kryeqytetin. Ai theksoi se vepra e tyre duhet të jetë shembull dhe frymëzim për brezin e tanishëm.
“Fatmirësisht, historia sot nuk kërkon sakrificat e dhënies së jetës për kryeqytetin, por sigurisht sot kërkohet që të ndërtojmë me të njëjtin pasion dhe të njëjtën energji, ashtu si të rinjtë e 72 viteve më parë luftuan për të ruajtur identitetin e vendit tonë”, tha kryebashkiaku. Më tej, ai vlerësoi se kjo festë vlen edhe që brezat e rinj të kuptojnë se historia e Tiranës është e mbushur me ngjarje dhe sakrifica deri në vetëmohim për ta bërë Tiranën qendrën e të gjithë shqiptarëve.
Më pas, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i Këshillit Bashkiak morën pjesë edhe në Konferencën Shkencore kushtuar pikërisht kësaj dite. Ndërkohë, historianët Paskal Milo, Pëllumb Xhufi e të tjerë studiues sollën para të pranishmëve fakte dhe ngjarje nga luftimet që u zhvilluan në kryeqytet deri në ditën e çlirimit. Më pas, të pranishmit ndoqën edhe ekspozitën e organizuar nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror, me foto që evokonin Tiranën e atyre ngjarjeve.