Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, zoti Aldrin Dalipi zhvilloi një takim pune me kryetarin e rajonit të Dubrovnikut, zotin Nikola Dobroslavic.
Duke i uruar mirëseardhjen, zoti Dalipi shprehu gatishmërinë e tij që dy rajonet të nisin një frymë bashkëpunimi duke ndërtuar një axhendë konkrete për mënyrën se si do të operohet në projekte të përbashkëta.
Duke folur dhe në emër të shoqatës së qarqeve të Shqipërisë, zoti Dalipi tha se “vendet tona mund të punojnë shumë mirë sëbashku edhe në projektet crossboard. Por jemi të gatshëm për të bashkëpunuar në fushën e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, mbrojtjen e mjedisit, përmirësimin e lidhjeve ndërkufitare etj”.
Zoti Dobroslavic shprehu kënaqësinë që vizitoi për herë të parë Shqipërinë duke u theksuar se dy vendet kanë shumë gjëra të përbashkëta.
“E kaluara është një bazë shumë e mirë që të flasim për të tashmen dhe të ardhmen e përbashkët. Ngjashmëria e dy vendeve tona për shkak të natyrës së përbashkët, na jep ne mundësinë të kemi një objektiv madhor për të mbajtur detin sa më pastër“, u shpreh zoti Dobroslavic.
Zoti Nikola Dobroslavic gjithashtu mban dhe postin e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Eurorajoneve, ndërsa zoti Dalipi është zëvendëspresident i saj, sëbashku me kryetarin e rajonit të Abruzzos, zotin Luciano D’Alfonso.