Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë (SHKQSH) në bashkëpunim me Shoqatën per Autonomi Vendore (SHAV) në kuadër të projektit “Bashki të Forta” i cili mbështetet nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, organizoi një tryezë pune mbi draft Strategjinë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Vetëqeverisjen Vendore (SNDVQV), 2023-2030.
Ky takim pune u zhvillua edhe me pjesëmarrjen aktive të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Ministrisë së Brendshme.
Z.Ervis Moçka, Kryetar i Qarkut të Vlorës dhe Kryetar i Komisionit Ligjor në Këshillin Bashkiak Vlorë u shpreh se këshilltarët vendorë kanë patur mundësinë të shkëmbejnë idetë më të mira në lidhje me çështjen. Diskutimet kanë qenë konstruktive, dhe me qëllimin që të gjithë qytetarët ta ndjejnë veten të përfaqësuar në këshillat vendor. Gjatë takimeve ka patur një angazhim maksimal i të zgjedhurve vendor, jo vetëm pjesëmarrje fizike por me ide dhe mendime.
Zj.Adelina Farrici, Drejtore ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, theksoi rëndësinë e kontributit të të gjithëve, si domosdoshmëri për suksesin e kësaj strategjie. “Është shumë e rëndësishme të kemi mendimet, idetë, opinionet dhe eksperiencat e të gjithëve, në mënyrë që të bëjmë më të mirën në këtë strategji të re, që synon një qeverisje vendore më të mirë. Të gjithë duhet të jenë kontribuues në këtë strategji, duke sjellë eksperiencën e tyre këtu” tha znj. Farrici.
Në vijim, është prezantuar draft-strategjia e re për decentralizimin ku u theksuan pikat kryesore dhe sfidat që kjo strategji synon të çojë drejt zgjidhjes. Disa nga pikat janë: ndarja e kompetencave në mënyrë të qartë mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, marrëdhëniet ndërqeveritare fiskale, zhvillimi ekonomik vendor, digjitalizimi i shërbimeve dhe avancimi i demokracisë vendore, etj.
Strategjia e re e decentralizimin është ndërtuar mbi parimin e gjithëpërfshirjes konsultative në vijimësi të të gjitha palëve aktorë në këtë proces. Ekspertët nga fusha të ndryshme dhe përfaqësuesit e bashkive edhe këshillave u ndanë në dy grupe gjatë kësaj tryeze pune për të konsultuar në detaje draft-Strategjinë dhe për të dalë me komentet dhe vlerësimet e tyre.
Kjo tryezë pune vjen pas një serie takimesh konsultative që Shoqata e Qarqeve ka ndërmarrë në shkallë vendi përgjatë muajit korrik të këtij viti, me pjesëmarrjen e të gjitha qarqeve dhe këshillave vendor.