Në ambientet e Këshillit të Qarkut Durrës, Shoqata e Qarqeve zhvilloi një takim konsultativ me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Në takim merrnin pjesë 12 kryetarët e Qarqeve të Shqipërisë, drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe përfaqësues nga qeveria qendrore.
Në diskutim u vu theksi që përmes dialogut dhe bashkëpunimit me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore të ndikohet në zhvillimin dhe koordinimin rajonal në qarqet tona, brenda përgjegjësive ligjore, institucionale, politike përherë dhe vetëm në dobi të komunitetit, të bashkëveprimit, të progresit dhe standardeve europiane.
Kryetari i Shoqatës së Qarqeve, z. Aldrin Dalipi gjatë fjalës së tij tha se dialogu i qeverisjes vendore me atë qendrore është me rëndësi për të forcuar rolin e institucioneve tona për më shumë sherbime ndaj qytetarëve edhe në nivelin rajonal.
Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të Shoqatës së Qarqeve, z. Aldrin Dalipi
Duke ju uruar mirëseardhjen ju shpreh vlerësimin për takimin dhe bashkëpunimin me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Ne kemi respektuar në këtë periudhë të parë të zbatimit të reformës territoriale, fokusin e institucioneve ndaj bashkive por nga ana tjetër, ne jemi përshtatur plotësisht me rrethanat e reja pas reformës për të kryer detyrimet tona si institucion kushtetues në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, ligjin e vetëqeverisjes vendore, një sërë aktesh ligjore e nën ligjore si edhe me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.
Mendoj se kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm, për aq sa na takon në raport me zhvillimin e qarqeve tona, në bashkëpunim me bashkitë në territor.
Si shoqatë, ne kemi dhënë një ekspertizë shumë të vyer në rastin e formatimit ligjërisht të Këshillit Konsultativ të Vetëqeverisjes Vendore me Qeverisjen qendrore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët. Vazhdojmë të aderojmë aktivisht si anëtarë të Komitetit për Zhvillimin Rajonal që drejtohet nga Kryeministri me pjesëmarrjen e nivelit qendror dhe vendor si dhe me Këshillin mbikëqyrës të Fondit shqiptar të zhvillimit.
Duhet të kalojmë në një fazë tjetër, që Këshillave të Qarqeve, ti besohen dhe kompetenca të tjera. Një shembull konkret është Projekt/vendimi mbi “Metodologjinë e Financimit të Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror” i cili do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Konsultativ javën e ardhshme.
Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë konsiderohet si një shembull pozitiv i cili përfaqëson të dyja forcat politike në vend.
Është sjellë eksperienca më e mirë europiane për rajonet duke qenë partner seriozë në raport me ta. Për këtë, ka shembuj shumë vlerësues të punës sonë të përbashkët me organizatat ndërkombëtare ku aderojmë, për të cilat kemi marrë vlerësime nga ata nëpërmjet partneritetit në projekte të ndryshme të financuara nga Bashkimi Europian por edhe nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme.
Për tu krahasuar me standardet e Bashkimit Europian, duhet të marrim në konsideratë se Këshilli i Evropës ka vlerësuar gjithnjë rëndësinë parësore të demokracisë në nivel lokal dhe rajonal. Vetëqeverisja lokale duhet të përmbushë nevojat e të gjithë banorëve në qytete dhe fshatra, zona qendrore dhe periferike dhe përtej kufijve.
Ne jemi të gatshëm dhe kemi kapacitetet për ҫka na takon që edhe përmes dialogut dhe bashkëpunimit me Agjencinë për mbështetjen e vetëqeverisjes vendore të ndikojmë në zhvillimin dhe koordinimin rajonal në qarqet tona, larg eksperimentimit të padobishëm por brenda përgjegjësive tona ligjore, institucionale, politike përherë dhe vetëm në dobi të komunitetit, të bashkëveprimit, të progresit dhe standardeve europiane.
Ne besojmë se ky mision, pavarësisht mandateve tona është në radhë të parë përgjegjësi e përbashkët.