Ditën e sotme u zhvillua takimi online mbi konsultimin e projektligjit të zhvillimit rajonal dhe kohezionit mes Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Shoqata u përfaqësua nga kryetarët e qarqeve të Shqipërisë si dhe Drejtori Ekzekutiv si pjesë e procesit të përgatitjes së kuadrit ligjor i cili është në fazën e zhvillimit të konsultimeve publike, gjatë së cilës këta aktorë janë kyç në zhvillimit rajonal dhe patën mundësi të rishikojnë dhe/ose komentojnë mbi projekt aktet e përgatitura.
Reforma e Zhvillimit Rajonal në Shqipëri, e iniciuar nga Qeveria e Shqipërisë, ka për qëllim kryesor zhvillimin e rajoneve në bazë të potencialeve të tyre si dhe uljen e pabarazive, për një zhvillim kombëtar të balancuar dhe të qëndrueshëm, për të përmirësuar cilësinë e jetës të të gjithë qytetarëve.
Rëndësia strategjike e kësaj reforme, si dhe kërkesa e Qeverisë Shqiptare për mbështetje të mëtejshme, i hapi rrugë zbatimit të projektit ”Programi për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri” me financim nga Qeveria Zviceriane dhe ajo Austriake sipas marrëveshjes bilaterale të ratifikuar me ligjin nr.66/2017.
Kjo marrëveshje i jep autoritetin dhe përgjegjësinë Zëvendëskryeministrit për sigurimin e ecurisë së procesit të hartimit të kuadrit ligjor.
Në kuadër të zbatimit të kësaj reforme, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka ndjekur procesin teknik të hartimit të kuadrit ligjor me ndihmën e konsulencës zviceriane-austriake.