Projekti për rigjallërimin e bibliotekave në çdo lagje të Tiranës po vijon me rikonstruksionin e bibliotekës në Njësinë nr.7, e cila po merr formën e një hapësire të veçantë për të rinjtë dhe komunitetin e zonës.
Krahas investimeve në rrugë të reja, kënde lojërash për fëmijët e parqe për t’u çlodhur, Bashkia e Tiranës po i jep vëmendje edhe përmirësimit të infrastrukturës për dije e kulturë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, inspektuan punimet që po kryhen në bibliotekën e Njësisë 7, ku theksuan se investime të tilla janë garanci për të ardhmen e qytetit.
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, falënderoi Bashkinë për punën e saj për rigjallërimin e rrjetit të bibliotekave në kryeqytet dhe shtoi se këshilltarët bashkiakë do të dhurojnë libra me qëllim pasurimin e fondit të këtyre librarive.
Kreu i bashkisë njoftoi se këtë vit bashkia do të rikonstruktojë edhe dy biblioteka të tjera, ndërsa deri në fund të mandatit do të përfundojë të gjitha bibliotekat e lagjeve, me qëllim që ato të shërbejnë jo vetëm si qendra leximi, por edhe si qendra komunitare, ku banorët mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme.