Është zhvilluar sot mbledhja e Këshillit Konsultativ midis Qeverisë Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore nën drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Mbledhja u drejtua nga bashkëkryetarët znj. Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme dhe z. Aldrin Dalipi, kryetari i Qarkut Tiranë dhe Shoqatës së Qarqeve të Shqipërisë.
Në këtë mbledhje u diskutua për tre çështje kryesore; Projektbuxhetit Vendor 2020; Reformës së Financave Publike dhe Vendore; Vlerësimit të performancës së vitit 2018.
Gjatë fjalës së hapjes zoti Dalipi theksoi se “projekt buxheti i vitit 2020 ka një qasje progresive për qeverisjen vendore, duke veçuar si element rritjen me 11.2% në krahasim me buxhetin e vitit 2019. Është për t’u vlerësuar gjithashtu se një nga fokuset kryesore në buxhetin vendor të vitit 2020, do të jetë në funksion të vazhdimit të zbatimit të reformës administrative-territoriale e decentralizimit fiskal”.
Zoti Dalipi ngriti shqetësimin për emergjencat civile. Ai tha se “do të doja të sillja në vëmendje për të gjithë aktorët që janë pjesë e këtij konsultimi si nivel qendror dhe vendor se një vend të rëndësishëm në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm duhet t’i kushtohet dhe emergjencave civile, nisur nga situata me të cilën u përballëm së fundmi”, Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi i kërkoi organeve të qeverisjes vendore, efiçencë në planifikimin e të ardhurave të mbledhura prej tyre, duke i përkthyer ato në investime që sjellin një rritje të mirëqenies për qytetarin.
“Rritja e të ardhurave duhet të jetë patjetër e përkthyer në investime, në më shumë mundësi për qytetarët dhe në shërbime më të mira. Duhet t’i jepet fund problemeve të detyrimeve të prapambetura. Të merren masa të menjëhershme për zbatimin me sukses të reformës së taksës mbi pasurinë e paluajtshme”, tha Haxhi.
Në këtë takim u prezantuan përpjekjet e bashkive për monitorimin e performancës së tyre buxhetore, lidhjen e parave të shpenzuara me arritjet e rezultatet, të mundësuara nga buxheti i performancës. Reforma e Financave Publike 2014-2020 në nivelin lokal synon të sigurojë një sistem të financave publike që promovon transparencën, përgjegjshmërinë, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për ofrimin e shërbimeve më të mira dhe zhvillimin ekonomik.
Ky raport, i mbështetur nga ambasada zvicerane, tregon se ndryshimet strukturore të imponuara nga reforma në nivelin lokal, përmes shumë ndryshimeve të kornizës rregullatore, por edhe përmes punës së nëpunësve civilë në nivelin e qeverisjes qendrore dhe lokale, janë përqafuar dhe miratuar nga aktorët kryesorë, bashkitë në Shqipëri.
Drejtuese e sektorit të qeverisjes, pranë ambasadës së Zvicrës, znj. Chantal Nicod në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij lokal për adresimin e problematikave.
“Ne jemi të lumtur të shohim që Këshilli Konsultativ po rritet dhe po funksionon. Ky Këshill është një platformë e nevojshme për qeverisje demokratike dhe rritjen e ofrimin e shërbimit në nivel lokal. Qeveria lokale dhe ajo qendrore nevojiten të takohen dhe të dëgjojnë këndvështrimet e njëri tjetrit në drejtim të zgjidhjes së problemeve të përbashkëta. Unë mendoj se ky është një hap i madh përpara”, deklaroi Nicod.
Buxheti vendor për vitin 2020 planifikohet të jetë rreth 11.2% më i lartë, krahasuar me këtë vit.