Kryetari i Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi zhvilloi sot një takim me z. Peter Clavelle, Drejtor i Projektit të USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP).
Gjatë bisedës zoti Dalipi e falënderoi zotin Clavelle për mbështetjen e dhënë për reformën e qeverisjes vendore, ndërsa diskutuan për përfshirjen aktive të qeverisjes vendore në proceset e mëtejshme të decentralizimit.
Zoti Clavelle e informoi kryetarin e Qarkut Tiranë dhe Shoqatës së Qarqeve të Shqipërisë në lidhje me axhendën e USAID/PLGP rreth zhvillimeve të draft-ligjit për financat e qeverisjes vendore. Zoti Dalipi u shpreh se procesi i diskutimit dhe konsultimit të draft-ligjit të financave të qeverisjes vendore duhet të jetë gjithëpërfshirës.
Ky proces nevojitet të shoqërohet me rritjen dhe përditësimin e kapaciteteve vendore, për njohjen dhe aplikimin e ligjit te ri organik për pushtin vendor si dhe çështje të decentralizimit, deri në finalizimin e këtij procesi.
Gjithashtu,Zoti Dalipi,njëkohësisht edhe kryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, e falënderoi zotin Clavelle për projektin pilot me Bashkinë e Tiranës, që do të bëjë të mundur modernizimin e UKT-së dhe furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë te banorëve të Tiranës.
Së fundi zoti Dalipi i dhuroi zotit Clavelle simbolin e Qarkut Tiranë, si shenjë mirënjohjeje për kontributin tij dhe të USAID në Shqipëri.