Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi mori pjesë në prezantimin nga kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj të masterplanit të Liqenit Artificial të Tiranës pjesë e të cilit është edhe projekti për hyrjen e parkut, i cili redukton ndërtimet në zonën ku sot gjendet Garda e Republikës, por nga ana tjetër shton hapësirat e gjelbra.Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Tiranës, z.Veliaj u shpreh i kënaqur që projektet që janë pjesë e këtij masterplani shtojnë hapësirat e gjelbra dhe argëtuese për qytetarët.
“Pavarësisht se pati keqinformim për hyrjen e parkut të liqenit, lajmi i mirë sot është fakti se jo vetëm që nuk i është marrë 1 mm katror liqenit, por i janë shtuar 5.5 hektarë nga ish Garda e Republikës”, tha Veliaj. Ai shtoi se projekti i hyrjes së parkut të liqenit, jo vetëm që nuk parashikon asnjë ndërtim të ri, por sjell prishjen e 13 nga 14 godinat ekzituese të Gardës së Republikës, duke ia kthyer hapësirën në fjalë qytetarëve.
“Nga 14 ndërtesa të Gardës, 13 do të rrafshohen dhe do t’i kthehen si hapësirë e gjelbër liqenit. Nga 14 ndërtesa do të mbetet vetëm një, e cila do të shndërrohet në qendrën e shërbimeve publike, një hapësirë ku qytetarët do të kenë një stacion me një ndalesë për të marrë pasaportën, çertifikatën, për të lidhur pensionin apo ndihmën ekonomike”, theksoi z. Veliaj.
Gjithashtu, në vijim të prezantimit të masterplanit të Parkut të Liqenit Artificial, zoti Veliaj theksoi se në total ai përbëhet nga 10 miniprojekte, të cilat synojnë më shumë hapësira argëtuese për të gjitha moshat, duke filluar nga fëmijët deri tek të rriturit. “Masterplani dhe investimet që do të bëhen në liqen janë ndarë në 10 projekte të vogla. Njëri prej tyre është rehabilitimi i digës, një tjetër është pista e vrapimit, një tjetër është korsia për biçikletat, për të mbyllur të gjithë korsinë e vrapimit dhe të biçikletave dhe të gjitha rrugët për këmbësorët në gjithë perimetrin e liqenit, sidomos në gjysmën jugore, ku është ende i papërfunduar. Një pjesë tjetër është edhe zona e plazhit”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Ai bëri të ditur se puna do të nisë pikërisht për më të vegjlit, me krijimin e parkut e madh të lojërave të fëmijëve. “Më vjen mirë që në dhjetë projektet e parkut të liqenit, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, do të fillojmë nga fëmijët, duke i vënë ata të parët e duke menduar për gjeneratën e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Veliaj, ndërsa theksoi se ishte i kënaqur që vetëm pas dy muajsh nga marrja e detyrës, është bërë e mundur realizimi i këtyre projekteve, të cilat do të rigjallërojnë gjithë zonën përreth Liqenit Artificial.
Kreu i Bashkisë së Tiranës u ndal edhe te problemi i familjeve të komunitetit rom, të cilat ishin vendosur në zonën jugore të liqenit, duke theksuar se bashkia ka mundur ta mirëmenaxhojë këtë situatë, duke u ofruar atyre disa zgjidhje për t’u sistemuar, që nga subvencionimi i një banese me qera te strehimi në Qendrën Tranzitore të Emergjencave.
Ndërsa, zëvendëskryeministri z. Niko Peleshi, i pranishëm në këtë aktivitet në fjalën e tij theksoi se hartimi i masterplanit të parë dhe konkursi i hyrjes së Parkut ndajnë përfundimisht për herë të parë zonën e gjelbër nga ajo e ndërtuar. “Përmes dy planeve sipërfaqja e gjelbër e Liqenit shtohet me rreth 5.5 hektarë. Është një përgjigje ndaj shqetësimit qytetar. Sipërfaqja e Gardës i rikthehet qytetarëve. Shërbimet publike kryesore do të integrohen më pranë dhe për të qenë më transparente. Bashkia e Tiranës është sot këtu për të treguar vullnetin e saj” tha z. Peleshi.
Kreu i Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi në rrjetet sociale vlerësoi projektin e ri të Bashkisë më të madhe të Qarkut Tiranë si një masterplan që i jep frymëmarrje të kryeqytetit. Gjithashtu, zoti Dalipi falënderoi kryetarin e Bashkisë Tiranë për një veprim model e qytetar për çlirimin e hapësirës në një pjesë të parkut të kthyer në gropë septike, duke përcjellë familjet rome në strehime më normale.