Nga dita e sotme, çdo qytetar do ta ketë më të thjeshtë të gjejë informacion në kohë reale mbi trafikun, transportin urban, turizmin e shumë të tjera, falë aplikacionit më të ri “Tirana Ime”, i cili u paraqit sot nga Bashkia e Tiranës dhe Vodafone Albania.
Në një aktivitet të organizuar në ambientet e Muzeut Historik, ishin të pranishëm kryetari i Këshillit Bashkiak dhe Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj.
Aplikacioni “Tirana Ime” vjen për të gjithë qytetarët e Tiranës si një udhëzues dixhital për kryeqytetin, me qëllimin e vetëm për lehtësuar dhe përmirësuar jetën e qytetareve.
I dizenjuar në një platformë unike dhe lehtësisht të aksesueshme, “Tirana Ime” përfshin 6 kategori të ndryshme (Trafiku, Transporti, Ndotja, Informacion, Raportime, Turizmi), të cilat do i vijnë në ndihmë përdoruesve të telefonave smartphone për të marrë çdo informacion të nevojshëm në kohë reale, kurdo dhe kudo që të ndodhen.
“Koha që njerëzit marrin për të raportuar qoftë edhe për një problem të vogël, një pemë të shkulur, një pusetë që mungon, një llampë të djegur, një pikë të pambledhur mbeturinash, mund të shkurtohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga një ndërveprim real që secili prej tyre mund të bëjë me Bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj.
Për këtë aplikacion është punuar 6 muaj, në mënyrë që qytetarët të kishin një instrument i cili raporton, informon, ndërvepron me Bashkinë e Tiranës në kohë reale.
“Me këtë aplikacion secili prej qytetarëve të Tiranës bëhet automatikisht një inspektor i bashkisë, i cili kontrollon nëse puna është bërë, nëse janë larë rrugët, nëse janë zbrazur koshat, nëse funksionon ndriçimi në qytet, nëse është zëvendësuar një pemë e dëmtuar apo një pusetë që mungon. Sot, çdo qytetar i Tiranës ka potencialin për të qenë një kryetar virtual i bashkisë dhe kontrolluar çështje të ndryshme”, u shpreh Veliaj.
“Bashkia ka pasur monopol informacionin mbi trafikun, por sot duam që çdo qytetar të shohë realisht se si funksionon trafiku në Tiranë. Secili qytetar ka mundësinë të shohë se sa i ngarkuar është trafiku në orë të ndryshme të ditës dhe të fillojë e të bëjë zgjidhje më inteligjente mbi mënyrën se si do të udhëtojë në Tiranë dhe të kalojë kohën e tij të kufizuar”, tha Veliaj.
Sipas tij, për herë të parë, ky informacion mund të përdoret edhe për shoferët. Në aplikacionin “Tirana ime” ndodhet dhe një bazë të dhënash të të gjitha ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj tha se kjo është një mënyrë se si qytetarët të dinë ekzaktësisht se çfarë shërbimesh ofron qyteti.
“Ftoj të gjithë qytetarët të bëhen ‘kryetari apo kryetarja’ e bashkisë, duke shkarkuar që sot aplikacionin, i cili na mundëson të kemi një komunikim në kohë reale dhe një bashki jashtëzakonisht efiçiente, për të parë nëse punëtorët e bashkisë u përgjigjen atyre problemeve që raportojnë qytetarët”, deklaroi Veliaj.
Në një kohë kur kryeqyteti po ndryshon me ritme të shpejta dhe dinamike, çdo qytetar mund të japë kontributin e tij për t’u bërë pjesë e zhvillimit dhe përmirësimit të Tiranës. Nëpërmjet aplikacionit “Tirana Ime”, çdo qytetar mund të raportojë në kohë reale problematikat ose shqetësimet, papastërtitë, ose shkeljet që has dhe stafi i bashkisë së Tiranës, i cili ka ngritur dhe dedikuar një strukturë këtij shërbimi, do të shqyrtojë çështjen pas marrjes së raportimit.
Aplikacioni “Tirana Ime” është i dipsonueshëm dhe mund të shkarkohet falas nga Play Store për telefonat android dhe së shpejti në App Store për telefonat iOS.