Të jesh pjesë e projekteve evropiane kërkon një përgatitje profesionale. Nën këtë linjë është zhvilluar nga Shoqata e Qarqeve të Shqipërisë ditën e enjte 8 shtator 2016, faza e parë të trajnimit me temë “Pjesëmarrja në projekte sipas konceptit Evropian të rajoneve: Shkrimi i projekt propozimit”.
Në këtë fazë të parë të trajnimit ku morën pjesë drejtuesit e Këshillave të Qarqeve, specialistë të fushës, si dhe ekspertë nga USAID dhe Ministria e Çështjeve Vendore u fol në mënyrë të detajuar për përgatitjen e projekt propozimeve cilësore për të patur një prezantim dinjitoz të Qarqeve në partneritetet rajonale evropiane.
Forcimi i kapaciteteve të lidershipit dhe pjesëtarëve të stafeve të Këshillave të Qarqeve në lidhje me shkrimin e projekt propozimeve sipas modelit të Bashkimit Evropian, përmes ofrimit të njohurive dhe informacionit mbi etapat dhe rregullat e formateve përkatëse, ishte një nga pikat kryesore të këtij seminari.
Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, zoti Aldrin Dalipi, duke theksuar rëndësinë e paraqitjes dinjitoze të qarqeve cilësoi se “ne jemi të qarte për rolin e Këshillave të Qarqeve si niveli dytë i qeverisjes vendore për të modernizuar rolin tonë përballë reformimit të vazhdueshëm të qeverisjes vendore në këto dy vite dhe në vazhdim”.
Ai vuri theksin te një mënyrë krejt e re e mënyrës sesi Këshillat e Qarqeve po përshtaten në reformim të vazhdueshëm si niveli i dytë i qeverisjes vendore drejt rajoneve.
Zoti Dalipi tha se bashkëpunimi i qarqeve me nivelin e parë të qeverisjes vendore është i rëndësishëm në dobi të komuniteteve ku jetojmë përmes një vizioni të ri që përputhet me reformat që janë ndërmarrë.
Referuar ndarjes së re territoriale dhe raporti që duhet të krijohet me vendet e tjera të rajonit, mënyra e përgatitjes së specialistëve për shkrimin e projekteve sipas tij është e një rëndësie të veçantë, për të qenë konkurrues dhe dinjitozë njëkohësisht.
“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe në raport me konceptin e rajoneve apo agjencive që janë krijuar. Ne jemi të zgjedhur në nivel politik në qeverisjen vendore dhe pozicioni ynë është krejt tjetër në raport me çdo strukturë apo agjenci që ngrihet”, theksoi zoti Dalipi në seminar, duke kërkuar kështu vëmendje dhe përkushtim maksimal për të arritur objektivat dhe vlerësuar rëndësinë e institucioneve që përfaqësojnë.
Ndërkohë u theksua se ligji për financat vendore që është në diskutim është i rëndësishëm dhe faktor i drejtpërdrejtë për një shpërndarje të sakte të financave për bashkitë dhe qarqet.