Vendi po kalon ditë të vështira për shkak të koronavirusit. Shumë njerëz kanë braktisur punën për të qëndruar të izoluar duke u mbrojtur nga ky armik i pa dukshëm.
Këshilli i Qarkut Tiranë troket çdo ditë në dyert e familjeve në nevojë, për të qenë pranë tyre në këto ditë të vështira e duke i ndihmuar ata me ushqime.
Kryetari i Qarkut, Aldrin Dalipi ishte sot në Luz të Vogël në bashkinë e Rrogozhinës, duke shpërndarë ndihma për familjet në nevojë.
“Në Luz të Vogël të Rrogozhinës shkuam te familjet në nevojë të skajshme për ushqime dhe me pjesëtare në familje me probleme të rënda shëndetësore. Bashkë me përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut atje për të dhënë me përulje ndihmën tonë”, shkruan zoti Dalipi në rrjetet sociale.
Ai i siguroi ata se ndihma institucionale, qoftë për ushqime apo ilaçe, nuk do të mungojë për asnjë familje.
Kryetari i Qarkut u shpreh si institucioni që ai drejton do të jetë pranë qytetarëve në këtë moment të vështirë që po kalon vendi.
Çdo ditë është një maratonë, për t’i ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë për dorën e institucioneve, për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë.