Ditën e sotme, datë 4 prill 2019 u zhvillua konferenca vjetore me temë “Sfidat në punësimin e studentëve tanë. Nxitja e sipërmarrjes individuale”.
Qendra Multifunksionale “New Generation” me rastin e 10-vjetorit të krijimit të saj e cila ka nxjerrë me qindra specialistë të përgatitur në profesione të ndryshme riktheu në qendër të vëmendjes diskutimin për nevojën e rritjes së kapaciteteve për shkollat profesionale të cilat nxjerrin të rinjtë të përgatitur në jetë. Në takim morën pjesë politikbërës të Arsimit dhe Formimit Profesional, përfaqësues të Biznesit, përfaqësues të Qendrave dhe Sallonet më në zë, studentë & Kursantë të “New Generation”, ish-studentë (Alumni) si dhe prindër dhe familjarë.
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak tëTiranës,z. Aldrin Dalipi në fjalën e rastit theksoi se kjo qendër përmes përvojës dhe praktikës së krijuar, bën diferencën në tregun e profesioneve të ndryshme. Një tregues i këtij suksesi të“New Generation” është punësimi i më shumë se 90 për qind të studentëve, të diplomuar nga kjo qendër multifunksionale në fushën e estetikës nga viti 2009 deri në vitin 2015.
Zoti Dalipi apeloi ndaj të rinjve të kësaj qendre se do të gjejnë mbështetje në kapërcimin e sfidave të punësimit, prandaj i inkurajoi që të guxojnë dhe të jenë vetë sipërmarrës të biznesit të tyre. Drejtuesi i Qendrës Multifunksionale Ilir Tafaj tha se ka disa arsye, për të cilat arsimi profesional është gjithmonë e më i preferuar.
Programet janë më të lira dhe të përgatisin shumë shpejt për tregun e punës. Programi arsimor profesional të nxjerr të përgatitur për tregun e punës, në moshën 20-vjeçare. Punonjësit dhe fuqia punëtore në tregun e punës është në moshën e artë, por mungesa e aftësive profesionale dhe mospërshtatja me kërkesat e teknologjisë së kohës po bëhet shkak që modeli ekonomik që aspiron të ndërtojë qeveria të jetë i mangët.
Mungesa e një orientimi të tillë reflekton në konkurrueshmërinë e ekonomisë kundrejt vendeve të rajonit dhe po zbeh perspektiven për të ardhmen. Sot, arsimi i lartë dhe ai profesional po përballet me dilema të mëdha, pasi teknologjia po avancon me hapa më të shpejta, ndërsa kurrikulat mësimore duhet te dalin jashtë modelit klasik, ato duhet t’i përshtaten nevojave të sektorëve të ekonomisë. Këto sektorë presin nga shkolla shqiptare specialistë dhe teknikë të cilët i mungojnë ekonomisë sonë.
Ka shumë pak të diplomuar në fushat mjaft të kërkuara, si për shembull teknologë, kontabilistë, agronomë, menaxherë prodhimi, inxhinierë tekstilesh, inxhinierë mekanikë, specialistë të IT, analistë dhe programues. Përveç kësaj, programet universitare janë kryesisht teorike dhe kanë mangësi për sa u përket aftësive praktike.
Formimi profesional, përtej shkollës së mesme, kuadri aktual i arsimit dhe formimit profesional, si dhe ai i arsimit të lartë, parashikojnë mundësinë e paraqitjes së programeve pasdytësore, por pak po bëhet në këtë drejtim dhe nevoja e praktikave të tilla është një mundësi e mirë për vendin tonë.