Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë (ShKQSh) në bashkëpunim me Shoqatën për Autonomi Vendore (SHAV) dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) në kuadër të projektit “Bashki të Forta” i cili mbështetet nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri organizuan Forumin e Lidershipit Vendor mbi temen: “Strategjia e Decentralizimit”.
Forumi u hap me fjalën e Kryetarit të Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë dhe Keshillit të Qarkut Tiranë z.Aldrin Dalipi, i cili u shpreh se: “Në përgjigje të vendimmarrjes së Qeverisë për hartimin e Strategjisë së re, ShKQSh ndërmori nismën për të udhëhequr një proces kombëtar pjesëmarrje nga të gjitha Këshillat Vendorë, në ndihmë të hartimit të Strategjisë, në koordinim me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë e saj për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), si dhe me mbështetjen e “Bashki te Forta” (BtF), një program i zbatuar nga Helvetas dhe i financuar nga Qeveria Zvicerane”.
Vlen te theksohet se për herë të parë Këshillat Vendorë u përfshinë gjërësisht në përgatitjen e Strategjisë 2023-2030, pasi ato janë përfitues direkt të rezultateve të kësaj strategjie.
Gjatë forumit u bënë prezantimet mbi rekomandimet dhe gjetjet e Ministrisë së Brendshme / AMVV – Linjat paraprake të strategjisë së ardhshme të decentralizimit; prezantimi i rekomandimeve të ofruara nga forumet teknike si dhe diskutimi mbi procesin e konsultimit me shoqërinë civile dhe lidershipin e qeverisjes vendore të prezantuara nga shoqatat.
ShKQSh ka mbështetur vazhdimisht Këshillat Vendorë për të rritur kështu performacën e tyre qeverisëse në përmbushjen e nevojave dhe adresimin e sfidave për zhvillimin e komunitetit dhe territorit, gjë që i ka kontribuar edhe përmirësimit të funksionimit dhe cilësisë së vendimmarrjes së këshillave vendore.