Jemi në sezonin e vjeljes dhe prodhimit të vajit të ullirit. Shqipëria është një tokë e bekuar për sa i përket rritjes dhe prodhimit të kësaj peme.
Kryetari i Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi vizitoi nga afër një nga fabrikat që mbledh dhe nxjerr me qindra litra vaji në këtë periudhë. Ajo ndodhet në njësinë administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë.
Banorët e zonës e kanë si pikë grumbullimi për ullirin që vjelin nga pemët dhe më pas për kthimin e tij në vaj. Këto ditë ajo gumëzhinë nga puna dhe është e pushtuar nga kokrrat çmuara e ullirit.
Zoti Dalipi në një postim në rrjetet sociale u shpreh i surprizuar nga puna që bëhej në fabrikë dhe nga prodhimi i zonës.
“Pasioni për ullirin është një nga pasuritë e çmuara në territorin e @Qarku_Tiranë. Në Njësinë Administrative Lekaj banorët pas vjeljes janë drejtuar në linjat e prodhimit të vajit të ullirit. Inkurajim për çdokënd që kontribuon për zhvillimin e ekonomisë lokale”.
Vaji i ullirit është një nga produktet më të shëndetshme dhe të domosdoshme, për këtë Qarku Tiranë inkurajon zhvillimin e ekonomisë lokale dhe ekonomisë së gjelbër.