Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e Këshillit Konsultativ, i cili bashkëdrejtohet nga Zëvendësministri i Brendshëm, Znj. Romina Kuko, përgjegjës për koordinimin e pushtetit vendor dhe si Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, Z. Aldrin Dalipi.
Në hapje të punimeve kryetari i Këshillit Qarkut Tiranë dhe bashkëkryetar i Këshillit Konsultativ Z. Aldrin Dalipi theksoi se Këshilli Konsultativ ka qenë një instrument transparent në vendimmarrje, shumë europian në veprim dhe shumë gjithëpërfshirës e i hapur për të dëgjuar aktorë jashtë tryezës, me ide dhe propozime të ndryshme.
Zoti Dalipi tha se ky është një proces tejet dinamik, sepse të tilla janë sfidat e përditshme në terren.
“Ngjarjet e fundit na treguan sesa përkushtim e solidaritet kërkohet nga të gjithë ne përkundrejt qytetarëve tanë. Por dhe sa mund e sakrifica nevojiten për të përballuar sfidat e natyrës që të nxjerrin jashtë axhendës normale të të përditshmes. Njëherësh pamë në këto ditë, si qytetarët presin dorën e qeverisjes vendore dhe qendrore për t’u dhënë ndihmë e për t’u qëndruar pranë. Një falënderim i madh për të gjithë ju, në bashkitë e qarkut të Tiranës dhe Durrësit që u përballët direkt me vështirësitë aspak të pakapërcyeshme, por dhe kolegëve të tjerë nga bashkitë dhe qarqet e vendit, që erdhën e u bashkuan këto ditë cep me cep në zonat e prekura nga fatkeqësia natyrore, duke takuar qytetarët. Ky është solidaritet i jashtëzakonshëm dhe mbresëlënës”, tha zoti Dalipi.
Në fund kryetari i Qarkut Tiranë risolli në vëmendje fjalën e kryeministrit Rama në betimin e kryebashkiakut të Veliaj ku theksonte: “Ne do të kemi forumet si hapësira komunikimi me të zgjedhurit vendor, deputetët dhe qeverinë përtej të majtës dhe të djathtës për çdo komunitet që ka dëshirë të marrë pjesë”.
Z. Dalipi propozoi që bashkitë dhe Këshillat e Qarqeve të kontaktojnë të gjithë rajonet fqinje ose evropiane me të cilat kanë kontakte për të pasur ndihmën e tyre në raste emergjencash siç ishte tërmeti i pak ditëve më parë.
I pranishëm në takim kryetari i Bashkisë së Tiranës Z. Erion Veliaj ka njoftuar se do të jepet shpërblim për zjarrfikësit, të cilët kanë qëndruar në gatishmëri në tre ditët e tërmetit dhe përmbytjeve që pasuan.
Zëvendësministrja e Brendshme, Znj. Romina Kuko në fjalën e saj vlerësoi takimin dhe Këshillin Konsultativ për hapat e ndërmarr dhe theksoi bashkëpunimin e ngushtë mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore.
Këshilli Konsultativ miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme si ai për “Për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare të punonjësit të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, në rast të dëmtimit te rëndë të pronës, për shkak të detyrës”; projektvendimin “Një ndryshim në vendimin nr. 350, datë. 19.04.2017, të Këshillit të Ministrave, Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të shërbimit te mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi” si dhe projektvendimin “Për sigurimin e jetës së punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.
Gjithashtu u miratua dhe projektvendim “Për miratimin e kritereve dhe procedurave të shpalljes se “Kurorës së gjelbërt” dhe përcaktimin e rregullave dhe i përgjegjësive në lidhje me administrimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kurorës”.