Sot në datë 09 shtator 2019 u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit të Qarkut Tiranë.
Mbledhja e thirrur në bazë të ligjit nga kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj si bashkia më e madhe e Qarkut fillimisht u drejtua nga këshilltarja më e vjetër në moshë znj. Bardhylka Kospiri.
Pas verifikimit të mandateve këshilltarët votuan për zgjedhjen e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Qarkut.
Kështu, me shumicën e votave këshilltarët i dhanë mbështetjen për një mandat të dytë si kryetar i Qarkut z.Aldrin Dalipi, ndërsa si zv.kryetare znj. Nertila Ndreu që vjen për herë të parë si përfaqësuese e Bashkisë Kamzë.
Gjithashtu u zgjodh dhe kryesia e qarkut me përfaqësues të bashkive Tiranë, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë.
Në fjalën e tij Aldrin Dalipi tha se fokusi ynë do të jetë inkurajimi i zhvillimit rajonal dhe iniciativave të përbashkëta mes bashkive të Qarkut.
“Qarku i Tiranës ka një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, mban një peshë të rëndësishme të ekonomisë së vendit, të turizmit, agroturizmit, agrikulturës etj. Tashmë është e rëndësishme që të inkurajohen hapat për hapjen e tregjeve të përbashkëta sipas standardeve më të mira, rritjen e cilësisë së shërbimeve në nivel vendor dhe mundësimin e formimit në këto fusha për të rinjtë. Eksperienca e rajoneve europiane dhe në veçanti atyre në zonën e bregdetit Adriatik janë të vlefshme për t’u aplikuar përmes projekteve të përbashkëta”, tha ai.