Nën kujdesin e Kryetarit të Qarkut Tiranë dhe Shoqatës së Qarqeve Z. Aldrin Dalipi dhe Drejtorit të Përgjithshem të APKA-s Z.Klevis Hysa u zhvillua ceremonia e marrëveshjes së bashkepunimit midis dy institucioneve, në ambientet e Shkollës Teknike Ekonomike të Tiranës.
Objekti i kësaj Marrëveshjeje është bashkëpunimi ndërmjet palëve në planifikimin dhe zhvillimin e iniciativave dhe të veprimtarive të përbashkëta për të mbështetur institucionet ofruese të arsimit dhe formimit profesional si dhe krijimit të urave lidhëse ndërmjet nxënësve, institucioneve dhe biznesit në nivel lokal.
Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është krijimi i një kornize të përbashkët dhe koordinimi i aktiviteteve dhe iniciativave që do të kontribuojnë në rritjen e përgatitjes së nxënësve/kursantëve që ndjekin arsimin dhe formimin profesional nëpërmjet ofrimit të mundësive të këshillimit për karrierë, punësim dhe praktika profesionale, si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së tyre në tregun e punës.
Pjesëmarres në takim ishin dhe Kryetarët e Qarqeve të Shqipërisë dhe Drejtorë të shkollave profesionale te Tiranës.