Me iniciativën e Presidentit të Generalitat të Katalonjës, z. Pere Aragonès, dhe Drejtoreshës së Përgjithshme për Marrëdhëniet e Jashtme, znj. Meritxell Serret, u zhvillua Samiti i Barcelonës ku morën pjesë përfaqësues të 12 rajoneve nga gjashtë shtete të ndryshme në zonën e Mesdheut, përfshire dhe Qarkun e Tiranës përfaqësuar nga Kryetari Z. Aldrin Dalipi.
Makrorajoni i Mesdheut është një nismë e udhëhequr nga Katalonja, së bashku me qeverinë e rajonit francez Provence-Alpes-Côte d’Azur.
Qëllimi i makrorajonit të Mesdheut është të grupojë rajonet dhe aktorët e tjerë nga të gjitha brigjet e Mesdheut nën një instrument evropian bashkëpunimi që u lejon atyre të mbrojnë interesat e sfidave të përbashkëta, duke i dhënë përparësi veçanërisht luftës kundër emergjencës klimatike.
Një makro-rajon është një kornizë politike që u lejon vendeve të vendosura në të njëjtin rajon që së bashku të adresojnë dhe të gjejnë zgjidhje për problemet ose të përdorin më mirë potencialin e tyre duke punuar së bashku.
Në panelin e samitit, ishin të pranishëm personalitete të shquara nga Spanja dhe BE, si Pascual Ignacio Navarro Ríos, Sekretar i Shtetit për Marrëdhëniet me BE, Younous Omarjee, President i Komisionit të Zhvillimit Rajonal në BE, eurodeputetë dhe drejtues të rajoneve dhe institucioneve europiane të Mesdheut.
Kreu i Qarkut Tiranë u shpreh: “Rajoni i Mesdheut ka potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm në fusha të ndryshme. Jemi të vetëdijshëm se pellgu i Mesdheut përballet me sfida urgjente që prekin jo vetëm BE-në, por gjithë planetin.
Krijimi i një makrorajoni mesdhetar do të na mundësojë t’i përgjigjemi më mirë sfidave të ndryshme me të cilat përballemi. Dimensioni rajonal dhe lokal duhet të jetë një prioritet i qartë brenda kornizës sonë të re të përbashkët.”
Samiti përfundoi me një deklaratë që kërkon krijimin e një makrorajoni Mesdhetar, i cili do të ofrojë hapësira dhe dinamika të përbashkëta të punës për të përcaktuar gradualisht strategjitë, veprimet dhe burimet ekzistuese në mënyrë efektive. U bë thirrje Shteteve Anëtare të BE dhe presidencës aktuale spanjolle të BE të ngarkojnë Komisionin Evropian të punojë në krijimin e një Strategjie të Integruar të BE-së për Rajonin Mesdhetar ‘EUSMED’ dhe të konsultojë të gjithë aktorët përkatës në shkallën e qeverisjes së shumë niveleve për përcaktimin e planit të veprimit.
Pas përfundimit të takimit, znj. Meritxell Serret shprehu mirënjohjen e saj që kaq shumë anëtarë të ndryshëm të vendeve të ndryshme duke u shprehur se “Ata erdhën në Barcelonë për të bashkuar përpjekjet në mbështetje të kësaj nisme” dhe për ta mbështetur atë “para institucioneve evropiane”.
© 2022 Created by AppAlbania