Kujdesi Social

Mbështetur në Ligjin nr.121/2016 datë 24.11.2016 “Për shërbime e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” gjatë vitit 2021 Këshilli i Qarkut Tiranë në bashkëpunim me organizata të cilat ofrojnë shërbime në fushën e kujdesit shoqëror kanë zbatuar me sukses 4 projekte të mbështetura financiarisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet Këshillit të Qarkut Tiranë si më poshtë:

1-Projekti: “Asistencë për riintegrimin e viktimave dhe viktimave të mundshme të    trafikimit”, zbatuar nga organizata “Të ndryshëm të barabartë”.

Organizata “Të ndryshëm të barabartë” ”është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ofron shërbime cilësore për ri/integrimin e viktimave të trafikimit gra dhe vajza, të shfrytëzimit dhe të abuzimit për të përmirësuar kontekstin ligjor, institucional dhe social për të parandaluar dhe luftuar këto shkelje të të drejtave të njeriut.

Qëllimi i projekti: “Asistencë për riintegrimin e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit”, është të mbështesë riintegrimin e qëndrueshëm të viktimave të trafikimit dhe viktimave të mundshme të trafikimit kryesisht gra/vajza dhe fëmijët e tyre.

Kjo mbështetje konsiston në ofirmin e shërbimeve si më  poshtë:

  • Strehim dhe siguri nëpërmjet akomodimit në Qendrën e Riintegrimit;
  • Asistencë mjekësore si analiza të përgjithshme, ekzaminime mjekësore;
  • Këshillim psiko-social;
  • Ndërmjetësim me familjet;
  • Asistencë ligjore;Aktivitete sociale; Asistencë për regjistrim/ vazhdimësinë e shkollës,
  • Strehim alternative;
  • Asistencë për viktimat nëna me fëmijë duke i ndihmuar për regjistrimin e fëmijëve në gjendje civile, regjistrimin në çerdhe dhe kopshte si dhe fuqizimin e tyre për të rritur fëmijë të shëndetshëm;
  • Mbështetja financiare për kosto paga/sigurime shoqëore dhe shëndetësore për 9 veta staf (punonjës socialë, jurist, psikolog etj.)

2-Projekti “Ofrimi i shërbimit të karrigeve me rrota për personat me aftësi të kufizuara”, zbatuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara

Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është një organizatë që zhvillon aktivitetin në fushën e aftësisë së kufizuar që prej vitit 1994, si progam i Oxfam GB (Njësia e Paaftësisë, Shqipëri ). Misioni i FShDPAK është promovimi i shanseve të barabarta dhe mbrojtja e vazhdueshme e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës për ta dhe për familjet e tyre.

Qëllimi i projektit: “Ofrimi i shërbimit të karrigeve me rrota për personat me aftësi të kufizuara” është rritja e cilësisë së jetës për personat me aftësi të kufizuara përmes ofrimit të shërbimit të karrigeve me rrota, sipas nevojave specifike të tyre e në përputhje  standardet e OBSh.

Shërimet që ofrohen:

  1. shërbim i specializuar, sipas standardeve të OBSh, për vlerësimin individual të personave me aftësi të kufizuara, të cilët kanë nevojë të pajisen me karrige me rrota.
  2.  sigurimi dhe përgatitja e karrigeve me rrota, të përshtatura sipas nevojave specifike të personave me aftësi të kufizuara të cilët do të pajisen me këtë mjet.
  3. ndërgjegjësimi i përfituesve të rinj të karrigeve me rrota si dhe familjarët e tyre për përdorimin e këtij mjeti.
  4. fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet FShDPAK dhe Zyrave të Shërbimit Social në nivel qarku dhe bashkie për të garantuar shërbim cilësor për personat me aftësi të kufizuara, përdorues të karrigeve me rrota.

Në kuadër të programit të FShDPAK-së zhvillon aktivitetin e saj punishtja“ Mirësia “në të cilën prodhohen, montohen dhe përshtaten mjete lëvizëse për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Kjo punishte është e vetmja e këtij lloji në vendin tonë dhe në të kontribuojnë 5 (pesë) persona me aftësi të kufizuara (si staf dhe si konsulentë teknikë). Qëllimi i funksionimit të punishtes ”Mirësia” është jo vetëm ofrimi i mjeteve lëvizëse për personat me aftësi të kufizuara, por edhe integrimi i tyre përmes punës. 

Karakteristikë kryesore dalluese e këtij projekti është që produkti, karrigia me rrota, i ofrohet individit sëbashku me shërbimin. Shërbimi i ofrimit të karrigeve me rrota ka në themel të tij procesin e vlerësimit të nevojave specifike, si fizike ashtu edhe shëndetësore të individëve të cilët do të pajisen me këtë mjet. Kjo pasi vlerësimi i detajuar sipas standardeve u mundëson specialistëve të përshtasin karrigen me rrota në përputhje me specifikat e individëve me aftësi të kufizuara.

3-Projekti “Ofrimi i dhënies së shërbimeve për viktimat e dhunës gjinore në Shqipëri”, zbatuar nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.

Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza është një organizatë jo fitimprurëse misioni i së cilës është të ndihmojë gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, të parandalojë dhe luftojë këtë fenomen në Shqipëri, si pjesë e lëvizjes pro-jetës dhe pro-familjes që konsiston në parandalimin dhe ofrimin e shërbimit kundër dhunës në familje dhe në shoqëri, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe ngritjes së vetëdijes për çështje lobimi, advokimi, trajnimi dhe hulumtimi.

Qëllimi i Projektit: është të sigurojë ofrimin e shërbimeve të  mbështetjes psiko-emocionale, ndihmës ligjore, dhe referimit në shërbim mjekësor, të punësimit dhe të strehimit falas për gratë dhe vajzat e dhunuara dhe atyre në risk duke zbutur sadopak efektet e krizës që shkakton dhuna. 

Shërbimet që ofrohen:

  • shërbimeve të  mbështetjes psiko-emocionale,
  • ndihmës ligjore,
  • referimit në shërbim mjekësor,
  • referim për punësimit
  • strehimit falas;

për gratë dhe vajzat e dhunuara dhe atyre në risk duke zbutur sadopak efektet e krizës që shkakton dhuna.

Shërbime mirëfunksionale në dobi të viktimave të dhunës ofrohen 24 orë në 7 ditë të javës. 

4-Projekti “ALO 116 111 një mekanizëm kryesor në raportimin e dhunës dhe        abuzimit ndaj fëmijëve ”, zbatuar nga Linja e Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri.

ALO 116 111 është një organizatë jofitimprurëse misioni i së cilës është mbrojtja e fëmijëve, me mbështetjen e UNICEF-it. Stafi profesional dhe me përvojë i ALO 116 111 është në gjendje të ofrojë këshillim, ndihmë dhe mbështetje për fëmijët që vuajnë nga abuzimi.

Shërbimet e ofruara:

ALO 116 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët është një mekanizëm i rëndësishëm për fëmijët, që ofron shërbimet e mëposhtme nëpërmjet një sistemi të linjës telefonike që vepron 24/7 nëpërmjet dy numrave 116 111 dhe 116 000, Kjo linjë telefonike është pa pagesë.

  • Këshillim psikologjik;
  • Informacion mbi një gamë të gjerë çështjesh (informacion mbi shërbimet që ofron ALO 116, fazat e zhvillimit, të drejtat e fëmijëve, substancat psikoaktive etj);
  • Referim në shërbimet përkatëse (Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, Shërbimet Sociale Shtetërore, Komunat, Policia, Spitalet, OJQ-të, etj.) Sipas specifikave të rastit.

https://differentandequal.org/en/