U zhvillua në Bruksel takimi përmbyllës i projektit AI-NURECC Plus, Iniciativa Plus e Rrjetit Adriatiko-Jonian të Universiteteve, Rajoneve, Qyteteve dhe Dhomave te Tregtisë.
Projekti koordinohet nga CPMR në partneritet me katër palët e interesuara nga zona si: Eurorajoni Adriatiko-Jonian (AIE), Forumi i Qyteteve të Adriatikut dhe Jonit (FAIC), Forumi i Dhomave të Tregtisë së Adriatikut dhe Jonit (FORUM AIC), dhe Shoqata e Universiteteve të zonës së Adriatiko-Joniane (UniAdrion).
Kreu i Qarkut Tiranë dhe Zëvëndës President i Eurorajonit Adriatiko-Jonian Z. Aldrin Dalipi u shpreh se “Makrorajoni Adriatiko-Jonian pasqyron pasurinë e kulturave, traditave dhe specifikave territoriale, por është gjithashtu një familje në të cilën të gjithë kanë mundur të kontribuojnë në një projekt të përbashkët”.
Takimi u moderua nga Sekretari i Përgjithshëm i CPMR Znj. Eleni Marianou e cila u shpreh falenderuese për bashkepunimin e suksesshëm midis partnerëve duke prezantuar kështu dhe arritjet e projektit.
Partnerët e AI-NURECC PLUS bashkuan përpjekjet e tyre për të mbështetur zbatimin e Strategjisë së BE-së për Rajonin e Detit Adriatik dhe Jon (EUSAIR), duke siguruar mbulim të thellë dhe të gjerë territorial duke rritur përvetësimin nga Autoritetet Rajonale dhe Lokale të objektivave dhe mundësive kryesore në shtyllat e EUSAIR: “Kërkimi dhe Inovacioni”, “Zhvillimi i SME-ve” dhe “Zhvillimi i Aftësive”.
Vëmendje e veçantë ju kushtua rinisë, edhe nëpërmjet iniciativave të drejtuara për sportin, integrimin dhe përfshirjen sociale, mjete që pritet të nxisin më tej zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit, kohezionin dhe solidaritetin në zonë.
Takimi përmbyllës u parapri nga aktiviteti i Rrjetit Rinor Adriatiko – Jonian(AIYN) mbi tematikën se si mund ta ndihmojmë EUSAIR në lehtësimin e angazhimit të të rinjve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të organizatave rinore që operojnë në rajonet e zonës Adriatiko-Joniane.
AI-NURECC PLUS synon gjithashtu të inkurajojë rrjetet dhe bashkëpunimin me shumë aktorë ndërmjet përfaqësuesve të sektorit privat dhe publik dhe shoqërisë civile për të nxitur koordinimin ndërmjet politikave të BE-së, kombëtare, rajonale dhe lokale për të zhvilluar Ekonominë Qarkulluese.