Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi pritën sot në një takim të veçantë kryetarin e Bashkisë së Vienës, Michael Häupl.
Gjatë takimit, Viena u vlerësua për modelin e qeverisjes së pushtetit vendor dhe u theksua se ajo shërben si një pikë reference për mënyrën e menaxhimit të qyteteve.
Kryebashkiaku Michael Häupl u nderua nga Bashkia e Tiranës me “Çelësin e Tiranës”.
Kryebashkiaku Veliaj tha se Bashkia e Tiranës dhe ajo e Vienës janë në fazën e konceptimit të disa projekteve për të dy qytetet në lidhje me fondet evropiane.
Kryetari i Bashkisë së Vienës, Michael Häupl, e cilësoi tepër të prekshëm transformimin që ka pësuar Shqipëria dhe Tirana, ndërsa garantoi për rritje të bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Bashkia e Vienës do t’i dhurojë kryeqytetit disa nga stolat karakteristikë të Vienës të lagjes së saj muzeale të cilat do të vendosen në sheshin “Skënderbej”.
Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me “Viena City Marathone” ka nisur përgatitjet për maratonën e Tiranës që do të zhvillohet më 15 tetor.
Më pas, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i këshillit Bashkiak e shoqëruan kryebashkiakun Michael Häupl në një vizitë në kantierin e punimeve për transformimin e sheshit “Skëndërbej”, ndërsa morën pjesë dhe në emërtimin e një prej rrugëve të kryeqytetit me emrin “Viena”, si një shenjë e miqësisë mes dy vendeve tona.