Pas konstituimit të të gjithë këshillave bashkiakë, me kërkesë të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës u zhvillua sot mbledhja e Këshillit të Qarkut Tiranë. Kryebashkiaku Veliaj shprehu vlerësimin e tij për punën e bërë nga kryetari i Qarkut Aldrin Dalipi dhe institucionit që drejton duke theksuar se gjatë mandatit të tij Qarku pati një rol të rëndesishem, në koordinimin rajonal duke sjellë progres dhe duke qenë urëlidhëse mes Bashkive. Ai ceku faktin se nje hap i rëndesishem është ndërveprimi me organizatat partnere europiane në kuadrin e rajoneve, ndërsa Tirana pritet të marrë presidencen e Eurorajonit Adriatiko Jonian gjatë këtij viti.
Këshilltarët e mazhorances dhe opozitës i dhanë mbështetjen unanime me votë propozimit për një mandat të ri si Kryetar i Qarkut Tirane z.Aldrin Dalipi, ndërsa zv.kryetar u zgjodh Durim Cani, që vjen nga Këshilli i Bashkisë Kamëz.
Në fjalën e tij, si Kryetar i sapozgjedhur Aldrin Dalipi tha se puna do të vijojë dhe qarku duhet të avancojë në rolin e tij si në aspektin e zhvillimit të politikave rajonale ashtu edhe në inkurajimin e grupeve të interesit për të qenë pjesë e projekteve të mëdha të qendrës në inovacion dhe teknologji.