Zhvillohet mbledhja e Komisionit të Mbrojtjes së Tokës për analizën e treguesve të gjendjes dhe dëmtimeve të tokës.
Në takim, nën drejtimin e Kryetarit të Komisionit z.Aldrin Dalipi u theksua se Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, ka evidentuar treguesit kryesorë që pasqyrojnë gjendjen dhe dëmtimet e tokës bujqësore.
Në territorin e Qarkut Tiranë evidentohen në veçanti katër tregues pozitiv tha z. Dalipi: Është rritur sipërfaqja e tokës që kultivohet nga pronarë dhe posedues të ligjshëm; Nuk ka dëmtim të tokës bujqësore nga ndërtimet e jashtëligjshme, faktor i cili ka qenë më dëmprurës në qark, si qendër metropolitane me një migrim të madh; Nuk ka dëmtime nga marrja e shtresës aktive nga mbetjet urbane falë vendimit të Bashkisë Tiranë për depozitim vetëm në landfillin e Sharrës dhe ka një përmirësim të ndjeshëm për pastrimin e kanaleve kullues dhe ujitës me investimet që kanë bërë bashkitë e qarkut.
Qarku Tiranë në vijimësi ka përcaktuar detyra për evidentimin e dëmtimeve të mundshme në tokën bujqësore nga faktorë natyrorë dhe veprimtaria e subjekteve të ndryshme duke u kërkuar bashkive të qarkut , ndër të tjera, që të përdorin për mbrojtjen e tokës deri në 40% të të ardhurave që merren nga taksa mbi tokën bujqësore për të zbatuar edhe vendimin e marrë nga KMT-ja.
Në takim përfaqësuesit e bashkive dhe Policisë Vendore të Qarkut Tiranë dhanë faktet konkrete për angazhimet e çdo institucioni në lidhje me këtë çështje.
Së fundi, rekomandimet nga takimi do t’i përcillen institucioneve përkatëse në të ardhmen.