Këshilli i Qarkut Tiranë pak ditë më parë ka zhvilluar mbledhjen në ambientet e bashkisë Kamëz ku ka miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme, si buxhetin afatmesëm të Këshillit të Qarkut Tiranë 2020-2022, dhe relacionin mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit.
Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Aldrin Dalipi tha se mbledhja u zhvillua në bashkinë Kamzë, pikërisht për të njohur pak dhe çfarë përfaqësojnë bashkitë e ndryshme në nivel qarku, që të kemi kohezion territorial në gjithë qarkun e Tiranës.
Duke folur për miratimin e buxhetit, zoti Dalipi tha se buxheti përfaqëson interesat qytetare në nivel qarku. “Në aspektin rajonal, buxheti përfaqëson interesat financiare të institucionit dhe të qytetarëve që përfitojnë nga shërbimet tona, siç janë investimet në nivel qarku, por dhe programet e ndryshme që zhvillojnë në aspektet e mjedisit, bujqësisë, turizmit dhe agro-turizmit. Kështu në këtë koncept ky buxhet përfaqëson pikërisht këto interesa që në nivel qarku, bashki të ndryshme kanë nevojë për bashkërendimin dhe bashkëpunimin për projekte të ndryshme”, tha ai.
Zoti Dalipi tha se “ne kishim përgjegjësi si institucion i Këshillit të Qarkut vlerësimin e dëmeve në banesa përsa i përket tërmetit të 21 shtatorit, por kuptohet se disa raste u përsëritën edhe në muajin nëntor. Bëmë një proces shumë të shpejtë, shumë të përgjegjshëm dhe përfunduam 2000 raste të vlerësimit për qytetarët e bashkisë Tiranës pra të njësive administrative që ishin në bashkinë e kryeqytetit”.
Në mbledhje folën disa nga anëtarët e Këshillit të Qarkut.
Zëvendësministrja e Brendshme znj, Romina Kuko evidentoi nevojën urgjente për t’i dhënë zgjidhje anomalisë së emërtesave të rrugëve dhe shesheve, anomali e cila e ka kthyer këtë zonë të populluar nga të gjitha krahinat e Shqipërisë në një zonë me emra qesharakë dhe pa identitet.
“Së shpejti me Aldrinin do të ngremë komisionin e emërtesave të rrugëve në Bashkinë Kamëz për të kthyer dinjitetin asaj zone. Një vend rrezaton histori atëherë kur çdo detaj në territorin e vet përputhet me identitetin që e përfaqëson” u shpreh zonja Kuko.
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj, Ornela Çuçi theksoi problematikën e menaxhimit të mbetjeve urbane, ku dhe bashkia Kamëz do duhet të ndjekë shembullin e Bashkisë Tiranë dhe bashkive të tjera të Qarkut.
Kryebashkiaku i Kamzës, z. Rakip Suli në fjalën e tij bëri një përmbledhje të gjendjes se si e kishte gjetur Bashkinë Kamzë dhe shpalosi projektet e tij për vitin e ri 2020.