Ditën e martë u zhvillua mbledhja e parë për këtë vit e Këshillit Konsultativ, Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Vendore, e cila u kryesua nga z.Aldrin Dalipi, Kryetar i Këshillit të Qarkut Tiranë.
Gjatë fjalës së tij kryetari i Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi tha se kjo mbledhje përkon me një moment të rëndësishëm për qeverisjen vendore dhe në veçanti për qytetarët e qarqeve të cilat janë dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Ai bëri apel qytetarëve që të paraqiten me dokumentet përkatëse për kryerjen e procedurës së aplikimit online “Shtëpia Ime”.
Zoti Dalipi tha se mbledhja e sotme ka disa vendime të rëndësishme, ku një pjesë e tyre lidhet me aspektin social. Bashkëkryetarja e Këshillit Konsultativ Znj. Romina Kuko në një reagim në rrjetet sociale tha: “Viti i tretë i Këshillit Konsultativ Qeverisje Qendrore-Vetëqeverisje Vendore na gjen të konsoliduar dhe të ndërlidhur me të gjithë aktorët kryesorë në qeveri, parlament, pushtet vendor, shoqatat, partnerët”.
Pjesë e kësaj mbledhjeje të parë për vitin 2020 ishte dhe z.Bashkim Fino, Kryetar i Nënkomisionit të Qeverisjes Vendore në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputeti Bashkim Fino gjatë fjalës së tij vlerësoi punën e deritanishme të Këshillit Konsultativ si një ndërmjetës mes pushtetit qendror dhe atij vendor.
Gjatë diskutimit të projektakteve zoti Fino theksoi se në nënkomisionin parlamentar të Qeverisjes Vendore do të ngrejë zërin për kërkesat që vijnë bashkitë dhe qarqet e vendit.
Në tryezë u prezantuan disa projekt-akte për mjedisin dhe strehimin social të cilat u diskutuan me kryetarët e bashkive, kryetarët e qarqeve dhe përfaqësuesve të qeverisë qendrore.