U përurua në Tiranë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë busti i z. Pjetër Arbnori, kreu i Parlamentit të parë pluralist shqiptar në fillim të viteve 1990.
Në ceremoni morën pjesë autoritete të larta të vendit në qeverisjen qendrore, vendore, ish-drejtues dhe drejtues aktualë të institucioneve shqiptare, studiues, gazetare etj.
Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Aldrin Dalipi në një postim në rrjetet sociale e konsideroi si të merituar vendosjen e këtij busti në mjediset e institucionit ligjvënës.
Z. Dalipi theksoi se z. Arbnori, ka qenë një model i shkëlqyer i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndër-partiak në Shqipëri, dhe trashëgimia e tij pozitive në politikën shqiptare duhet të çmohet e të aplikohet.
Një muaj më parë, Këshilli Bashkiak i Tiranës, miratoi vendosjen e bustit të të ndjerit Arbnori, me propozim të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z.Erion Veliaj dhe Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi.