Integrimi i familjeve të kthyera nga jashtë është pjesë e misionit të shoqërisë. Për këtë qëllim është kryer një studim i rëndësishëm ku jepen detaje dhe mundësi konkrete se si fëmijët e kthyer nga jashtë dhe familjet e tyre mund të ri-integrohen në shoqërinë tonë.
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në bashkëpunim jo vetëm me këshillat e qarqeve, por dhe me institucione të tjera të rëndësishme prezanton gjetjet e këtij raporti “Çfarë Ndodh me Familjet dhe Fëmijët Shqiptarë të Kthyer? Gjetjet kryesore nga vlerësimi i aksesit në shërbime” studim për emigrantët e kthyer në Tiranë, Dibër dhe Fier mbi nevojat për ri-integrim të emigrantëve të kthyer, duke u fokusuar te familjet (me fëmijë).
Ky raport reflekton informacionin e mbledhur gjatë periudhës mars-prill 2017 nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve (Observatori) nëpërmjet intervistave me institucionet qendrore, lokale dhe ofruesit e shërbimeve si dhe nëpërmjet fokus-grupeve me emigrantë të kthyer, në Qarkun e Tiranës, Dibrës dhe Fierit.
Gjetjet e raportit u ndanë ditën e premte me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe kombëtare, ministrive të ndryshme dhe institucioneve vartëse qendrore dhe lokale së bashku me OJF-të që veprojnë në fushën e të drejtave të fëmijëve me qëllim lehtësimin e procesit të ri-integrimit të emigrantëve të kthyer, fëmijët dhe familjet e tyre, në shërbimet e ndryshme për të cilat ata kanë nevojë.
Këshilli i Qarkut Tiranë prej dhjetorit 2015 ka nënshkruar dhe zbaton një marrëveshje bashkëpunimi me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve, marrëveshje që shpreh angazhimin e institucionit për të mbështetur Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve me dokumentacione, informacione dhe mbështetjen administrative të nevojshme në mbledhjen e të dhënave.
Raportin e plotë e gjeni KËTU.