Këshilli i Qarkut Tiranë mbështeti realizimin e Kongresit të 3-të nga Shoqata Europiane – Aziatike e Kirurgjisë Onkologjike.
Lufta kundër sëmundjes së kancerit mblodhi në një event të rëndësishëm në Tiranë shumë prej profesionistëve më të njohur në botë dhe në Shqipëri. Qëllimi i realizimit të Kongresit të 3-të gjatë 13-15 Tetor nga Shoqata Europiane – Aziatike e Kirurgjisë Onkologjike, ishte ai i publikimit të teknologjive të reja dhe zbulimeve të fundit që trajtojnë këtë sëmundje e cila është shkaktari kryesor i shumë vdekjeve në botë dhe përbën sfidën kryesore të mjekësisë së sotme.
Në këtë aktivitet të nivelit të lartë shkencor morën pjesë studiues, mjekë, profesionistë nga shumë vende për të ndarë të rejat më të fundit në onkologji. Por nuk munguan edhe të ftuar nderi siç është ish-kryeministri italian Massimo D’Alema dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gjithashtu, ky aktivitet u organizua nën kujdesin e Kryeministrisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, QSUT, etj.
Gjatë fjalës së tij në aktivitet ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tha: “Aktivitete të tilla janë një vlerësim për këta individë dhe të dashurit e tyre, që me vullnet të pathyeshëm ofrojnë me këmbëngulje mbështetjen e tyre në kohë të vështira. Kjo është edhe arsyeja themelore përse ne angazhohemi në punën tonë për përmbushjen e kërkesave thelbësore dhe të domosdoshme për sigurimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët tanë që vuajnë nga të gjithë format e kanceri”.
Ky aktivitet u zhvillua në tetor, pikërisht muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një kohë kur bëhet më e qartë se kurrë për të parë dhe kuptuar nevojën e vazhdueshme për kërkim, edukim, trajtim mbështetës dhe përkrahje.