Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan punimet për ndërtimin e tre rrugëve të reja në zonën e Pezës, të cilat do të lehtësojnë komunikimin dhe shkëmbimin e mallrave të banorëve të kësaj zone me tregjet në kryeqytet.
Dalipi vlerësoi vizionin e kryebashkiakut Veliaj që në gjysmën e dytë të mandatit investimet të përqendrohen edhe në zonat në periferi, që tashmë janë pjesë e bashkisë së madhe.
“Pas hapjes së Bulevardit të ri, po jepet një shembull që ka edhe disa bulevarde të vogla në zonat periferike të Tiranës, ish-komunave të djeshme, në të cilat më parë nuk është bërë asnjë investim. Tashmë, po hymë thellë në lagjet e Pezës, kemi hapur portën drejt gjysmës së mandatit me vizionin e Kryetarit të Bashkisë, që gjysma e dytë e mandatit në qeverisjen vendore do të fokusohet te zonat periferike të Bashkisë Tiranës, që edhe ata ta ndjejnë veten pjesë të ndryshimeve të mëdha që ndodhin në qendër si sheshi “Skënderbej” apo Pazari i ri, që janë tani atraksion jo vetëm për turistët vendas, por edhe për turistët ndërkombëtarë”, theksoi Dalipi.
Nga ana e tij, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Tiranë, do të sigurohen që investimet të shtrihen në të gjitha njësitë administrative.
“Është shumë mirë që kemi sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, Parkun Olimpik, Bulevardin e Ri, por jo të gjithë njerëzit jetojnë në shesh apo në pazar. Njerëzit rrinë në shtëpi, në lagje, në fshat, ndaj kemi bërë një bashkëpunim fantastik me Aldrinin: Unë kam marrë përsipër gjithë fshatrat e ish-komunës në krahun majtë, ai ka marrë përsipër të gjithë ato në krahun e djathtë, që të sigurohemi që, ashtu si Edi Rama nuk i ndan njerëzit në të majtë e në të djathtë, por punon me fokus për t’u shërbyer të gjithëve, ashtu edhe unë e Aldrini jemi bërë partnerë, që të sigurohemi që, si në të majtë e në të djathtë të rrugës, apo si në krah të majtë e të djathtë të politikës, qytetarëve t’u shërbejmë të gjithëve njësoj”, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj siguroi vijimin e investimeve edhe gjatë stinës së verës.
“Siç kemi premtuar, ka apo s’ka fushatë, ka apo jo pushime verore, punët që janë nisur do mbarojnë. Do të vijojmë gjatë gjithë kohës me investimet, jo vetëm në zonën e Pezës, por edhe në zonën e Ndroqit, në zonën e Bërzhitës, ku jemi duke punuar aktualisht, edhe në Krrabë, Mushqeta, në Zall Bastar, Zall Dajt”, tha ai.
Veliaj deklaroi se vetëm për komunën Pezë janë në plan 6 projekte, të cilat do të përfundojnë shumë shpejt. Ai tha se falë mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, investimet do të jenë edhe më të mëdha.
“Besoj që Peza është një nga ato ish komuna që ia pa hajrin bashkimit me Tiranën, sepse fuqia investuese e Tiranës bashki dhe e Tiranës qark, është shumë herë më e madhe se sa një komunë e vogël, me pak banorë, me pak të ardhura, çka përkthehej në më pak taksa e investime. Dua të falenderoj shumë deputeten e mrekullueshme Erjeta Alhysa, e cila është një avokate fantastike e kësaj zone. Nëse të bashkuar po bëjmë këto investime, imagjino ç’mund të bëjmë të bashkuar me Arjetën, Irmën, Edi Ramën, me PS, ku fuqia është edhe më e madhe, investimet janë edhe më të mëdha!”, tha ai.