Këshilli i Qarkut të Tiranës vlerësoi Shoqatën “Tirana” me titullin “Nderi i Qarkut” me motivacionin “Për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave identitare, materiale, kulturore e shpirtërore të qytetit dhe trevës së Tiranës”.
Ky është titulli më i lartë që jepet nga Qarku i Tiranës dhe medalja iu dorëzua z. Arben Tafaj si Kryetari i Shoqatës nga kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, z Aldrin Dalipi dhe Prefekti i Tiranës, z. Sadi Vorpsi në prani të kryebashkiakut të Tiranës, z. Erion Veliaj.
Titulli iu dha gjatë aktivitetit të mbajtur me rastin e promovimit të librit “42 kryetarët e Tiranës” me autor z. Valter Gjonin, i cili prej më shumë se 20 vitesh mban pozicionin e përgjegjësit të Protokollit në Bashkinë e Tiranës.
Libri paraqet një histori jo vetëm të të gjithë kryebashkiakëve në vite, por edhe të qytetit të Tiranës.
Gjithashtu, z. Valter Gjoni u nderua gjatë ceremonisë nga Shoqata “Tirana” me titull nderi për kontributin e dhënë për qytetin e Tiranës.