Fokusi i zhvillimit ekonomik në vendin tonë është përqendruar në investimet në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Partner kryesor i Shqipërisë në këtë iniciativë është Italia. Sipas Presidentit të Rajonit të Molises në Itali, Donato Toma, Shqipëria është një vend me potencial të lartë për të thithur investitorët e huaj.
Krahu i punës së lirë dhe paketa fiskale është një nxitës që investitorët italianë të vijnë në Shqipëri.
Sipas Aldrin Dalipit, zëvendës president i Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe kryetar i Qarkut Tiranë, Shqipëria është kthyer në një atraksion për të huajt me projektet që po implementon.
Këto projekte nuk ndikojnë vetëm në transformimin urban të vendit, por edhe në punësimin e të rinjve.
Aktualisht në Shqipëri bizneset italiane janë të fokusuara kryesisht në fasoneri, por sipas specialistëve të ekonomisë ka ardhur koha që të ketë investime edhe në sektorë të tjerë.
Dy sektor me interes janë turizmi dhe agroturizmi. Për këtë të fundit qeveria po harton një paketë me masa lehtësuese për këdo që do të investojë në agroturizëm.
Presidenti i Rajonit të Molises z. Donato Toma i shoqëruar nga kryetari i Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, ku u fol për mbështetjen politike të nivelit parlamentar për sipërmarrësit e rajoneve të Adriatikut për të inkurajuar modelet më të suksesshme për investime në një hapësirë që na bashkon.
Presidenti Toma dhe Kryetari Dalipi, u pritën në një takim miqësor nga ministri i Turizmit, z.Blendi Klosi. U theksua se iniciativat në fushën e turizmit, agroturizmit, agrikulturës janë me rëndësi për një zhvillim të qëndrueshëm.
Kjo ishte vizita e parë ndërkombëtare e guvernatorit të Rajonit të Molises, ndërsa takimet në Shqipëri i nisi në Bashkinë e Tiranës ku shprehu interes për investime, por dhe vlerësim për transformimin fantastik të kryeqytetit.