Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, rezervoi një urim të veçantë sot, në 8 Mars, për të gjitha gratë dhe vajzat e kryeqytetit, duke u shprehur atyre mirënjohjen për sakrificën dhe përkushtimin për qytetin.
“Sot apeli më i madh është për ne burrat dhe djemtë, që të tregohemi më zotërinj me to, të kuptojmë që pjesën më të madhe të sakrificës, por edhe të mundit, nga mbajtja e shtëpisë e deri te punët e qytetit, e marrin nënat dhe vajzat. Më vjen mirë që me një gjest të vogël simbolik transporti publik për to ishte falas sot.
Është një gjest i vogël mirënjohjeje për sakrificën dhe kontributin që gratë dhe vajzat japin për suksesin e qytetit të Tiranës”, deklaroi Veliaj, i cili së bashku me anëtaret femra të Këshillit Bashkiak, drejtueset e njësive administrative, si dhe shumë prej drejtueseve të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në qytetin e Tiranës, mbolli 500 pemë në një hapesirë të re të Parkut të Liqenit, e cila do të quhet “Shtegu i Nënave”.
Veliaj shprehu bindjen se edhe në zgjedhjet e ardhshme këshilli bashkiak do të jetë i dominuar nga gratë dhe vajzat.
“Edhe në zgjedhjet e ardhshme jo vetëm që do t’i qëndrojmë angazhimit tonë për të pasur një këshill bashkiak të dominuar nga gratë dhe vajzat, por do donim që kjo frymë e Tiranës të vazhdojë edhe në qytetet e tjera”, tha Veliaj.
Teksa i falenderoi për sakrificën dhe kontributin e dhënë për qytetin, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Tirana, jo vetëm që ka një shumicë të zonjave në Këshillin Bashkiak, por 70 % e menaxhimit të qytetit realizohet nga gratë dhe vajzat.
Gjithashtu, këtë 8 mars, nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë iu bashkuan edhe një grup i nënave me fëmijë autikë të cilat në afërsi të Amfiteatrit mbollën pemë në emër të sakrificës së tyre si nëna.