Ekonomik

Qarku i Tiranës ofron mundësi të shumta punësimi krahasuar me qarqet e tjera të vendit. Megjithatë për shkak të numrit të lartë të popullsisë, niveli i papunësisë është relativisht i lartë. Kështu në këtë qark në tremujorin e parë të 2021, niveli i papunësisë është 15% ndërsa në nivel kombëtar është 11.82% .

Sipas sektorëve, numri më i lartë i të punësuarve është në sektorin privat.  Kështu në qarkun Tiranë, në vitin 2019, sektori privat kontriboi me 78.5% të të punësuarve, ndërsa në nivel vendi sektori privat kontribon me 83.5% të numrit të punësuarve.

Është e rëndësishme për tu bërë një dallim midis zonës rurale dhe urbane të qarkut të Tiranës për sa i përket treguesve të rritjes ekonomike. Në komunat malore që ndodhen larg zonës së Tiranës,  treguesit ekonomik janë më ulët se ato në nivel qarku. Bazuar në këto tregues, mund të konkludohet se në qarkun e Tiranës janë krijuar pabarazi midis njësive vendore, të cilat shoqërohen me probleme në procesin e zhvillimit  rajonal.

Situata ekonomike

Produktin e Brendshëm Bruto sipas qarqeve për periudhën 2016-2019.

Metoda e llogaritjes së PBB sipas qarqeve është nëpërmjet çmimeve korrente. Vlera e Shtuar Bruto (PBB) përfaqëson vlerën totale në para, të të gjithë të mirave dhe shërbimeve të prodhuara gjatë një periudhe specifike nga njësitë ekonomike rezidente brenda territorit ekonomik të një vendi apo lokaliteti. Burimi i informacioni është marrë nga Instituti i Statistikave. Vlera e PBB për vitin 2019 arrin afërsisht 1.7 trilion Lekë. Ashtu si dhe në tre vitet paraardhëse 2016, 2017 dhe 2018, edhe gjatë vitit 2019 Tirana mban vendin e pare si qarku me kontributin më të madh në PBB, ndjekur nga Fieri, Durrësi dhe Elbasani. Ndërkohë qarku i Kukësit të shënojë vlerën më të ulët të PBB krahasuar me qarqet e tjera përgjatë gjithë periudhës 2016-2019.

Po të fokusohemi në ndryshimin vit pas viti në vlerë të PBB, vihet re një trend pothuajse konstant ndër vite. Vlera e PBB gjithsej në vend gjatë vitit 2019 ka shënuar një rritje prej 55 miliard Lekë ose 3.4% krahasuar me vitin 2018 ku PBB shënoi një rritje më të madhe me afro 86 miliard Lekë ose rritje prej 5.6%.

Sa i takon treguesi të PBB për frymë në vend sipas qarqeve, renditja është Tiranë, Fier dhe Gjirokastër. Vihet re një forcim i Gjirokastrës lidhur me këtë tregues që prej vitit 2018 duke zënë vendin e Durrësit. Ndërkohë Kukësi dhe Elbasani janë dy qarqet me PBB për frymë  më të ulët në vend krahasuar me qarqet e tjera.

Tirana vazhdon të mbetet qarku me PBB për frymë më të lartë megjithëse lëvizjet e brendshme migratore nga një qark drejt Tiranës pa kryer procedurat e transferimit të vendbanimit, e mbivlerëson këtë tregues duke nënvlerësuar qarqet e tjera.