Iniciativa e Qarkut Tiranë, “E hëna në kinema”, u konkretizua këtë të hënë të parë të dhjetorit.
Ishin të rinjtë e shkollës “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet, ata që patën mundësinë të shijojnë një ditë ndryshe, larg ambienteve rutinore të kafeve, apo bordurave.
E konsideruar si një mundësi e mirë që të rinjtë të jenë më të socializuar e larg veseve, Qarku i Tiranës në bashkëpunim me rrjetin e kinemave Imperial, mbërriti që të hënat e muajit të festave t’i rezervojë për të rinjtë në kinema.
Kreu i Qarkut Tiranë dhe Këshillit Bashkiak, zoti Aldrin Dalipi që ishte bashkë me të rinjtë në kinema, u shpreh se “kjo është një mundësi e mirë që të rinjtë të zgjedhin kinemanë, të jenë më të socializuar me njëri-tjetrin dhe të jenë sa më larg jetës rutinore”.
Për kreun e Qarkut, kjo iniciativë është një mundësi e mirë për të afruar të rinjtë sa më afër artit dhe të bukurës.