Shoqëria civile dhe organizatat e grave zhvilluan dje diskutimin mbi Buxhetimin Gjinor me anëtaret e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Në ambientet e ”Hotel Tirana”, të pranishëm ishin, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Aldrin Dalipi, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Brunilda Paskali, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, z. David Saunders, etj.
Z. Aldrin Dalipi theksoi rëndësinë e madhe që ka kuota prej 50 % e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në qeverisjen vendore, ndërsa vlerësoi se roli i grave dhe vajzave këshilltare po inkurajon një proces të ri në komunikimin dhe diskutimin e vendimeve në Këshill. Dhe në rastin e buxhetimit gjinor aplikimi i këtij procesi hap një perspektivë gjinore në të gjitha nivelet e procesit buxhetor dhe ristrukturimit të të ardhurave dhe shpenzimeve me qëllim promovimin e barazisë gjinore.
Fjala e mbajtur në tryezë nga kryetari i Qarkut Tiranë dhe Këshillit Bashkiak, z. Aldrin Dalipi:
“E vlerësoj shumë ftesën tuaj, dhe evidentimin e diskutimit të buxhetimit gjinor si element i reformës buxhetore në nivelin e qeverisjes vendore. Ju e dini se përgjatë muajit Nëntor Bashkia zhvilloi takime për projekt buxhetin me pjesëmarrje. Kemi ndjekur me vëmendje Kryetarin Bashkisë, Erionin, nënkryetarët Brunën, Arbin, Andin, Isufin në shumë prej diskutimeve. Një eksperiencë e re dhe për mua si Kryetar i Këshillit bashkiak të merrja pjesë aktive në prezantim dhe diskutime të buxhetimit me pjesëmarrjen të komunitetit falë një procesi të hapur dhe transparent. Shumë qytetarë bënë propozimet e tyre. Po ashtu dhe në Këshillin Bashkiak gjatë shqyrtimit ky proces do vazhdoj deri në mbledhjen që do zhvillohet në ditët e fundit të muajit.
E veçanta është se gjatë procesit të diskutimit me qytetarët rezultoi që buxhetimi me pjesëmarrje rrit përgjegjësinë dhe orienton Bashkinë dhe qytetarët drejt një buxheti realist duke shmangur sa të mundet buxhetimin imagjinar.
Një hap shumë i rëndësishëm që reformon dukshëm qasjen tonë me procesin e shqyrtimit të projekt buxhetit është buxhetimi gjinor si një mekanizëm i fort ku objektivat zbatohen ne mënyrë konkrete .
Për këtë krijimi i Aleancës së Grave dhe Vajzave këshilltare është një hap përpara. Falënderoj Klotildën që kryeson Aleancën bashkë me këshilltaret e të gjithë forcave politike në Këshill, të mazhorancës dhe opozitës, sëbashku po bëjnë përpjekje për të rritur cilësinë e përfaqësimit në Këshillat Bashkiak por dhe në proceset e konsultimit mes Bashkisë dhe Këshillit për vendimmarrje të drejtë.
Rritja e përfaqësimit 50 për qind ishte dhe mbetet një nga momentet më themelore në qeverisjen vendore. Roli i grave dhe vajzave Këshilltare po inkurajon një proces të ri në komunikim dhe diskutim të vendimeve në Këshill. Dhe në rastin e buxhetimit gjinor aplikimi i këtij procesi hap një perspektiv gjinore në të gjitha nivelet e procesit buxhetor dhe ristrukturimit të të ardhurave dhe shpenzimeve me qëllim promovimin e barazisë gjinore.”
Zëri i grave dhe vajzave në këshillat bashkiakë është shumë i rëndësishëm për t’i dhënë jetë propozimeve. Sepse janë zë i besueshëm i drejtë dhe kur bëhen bashke zë i fortë për të arritur qëllime të drejta për shoqërinë.
Ju inkurajoj dhe falënderoj për gjithçka po bëni.”